4 Maji 2023

Deputeti i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku thotë se vendimi për vulën e forcës politike nuk duhet të shërbejë si një precedent për t’u futur të ndarë në zgjedhjet e 14 majit.

Në një intervistë për “Panorama TV”, ai shprehet se do i propozojë Enkelejd Alibeajt që në garë të pranohen edhe kandidatët e “Primareve” nga grupi i ish-kryeministrit Sali Berisha.

Sipas tij, nëse PD futet e përçarë në zgjedhje atëherë kjo do të ishte një dhuratë për Edi Ramën.

Çollaku: Është çështje vetëm emrash, jemi brenda një familje politike. Ne kemi një sfidë që na përket të gjithëve, pavarësisht legjitimitetit, të shkojmë në zgjedhje të bashkuar. Të hënën mblidhet kryesia e PD-së. Mu duk e arsyeshme që nuk shoh asnjë lloj pengese. Në zgjedhjet e 14 majit nuk kemi pengesë për të hyrë të bashkuar.

Mund të jenë kandidatët e primareve, edhe aty ku ka pasur problematika. Ne mund të shkojmë të unifikuar. Është mundësia e vetme dhe e mirë që të garantojmë fitoren e PD-së. Rivalitete në PD mund të ketë gjithmonë, por më vonë mund të hapim një proces tjetër për zgjedhjen e strukturave. Të shkojmë të ndarë në zgjedhje është një dhuratë që nuk duhet t’ia bëjmë Ramës. Mund ta krijojmë konsensusin. Ky është apeli im.

Pyetje: Keni kohë për të nxjerrë kandidatë?

Çollaku: Ne nga konflikti i brendshëm jemi të dëmtuar. Por unë mendoj se ne jemi në një kohë ekstreme dhe të ngushtë, por të paktën mund të dalim me një kandidat, të mos bëjmë rivalitet me njëri-tjetrin. Unë do i propozoj Alibeajt që kandidatët e Primareve të garojnë në zgjedhjet e 14 majit. Nuk ka pse të mos lejojmë kandidatët e primareve që të garojnë në 14 maj. Nëse kjo ndodh, atëherë kjo është ndarje.