Cakrani: Ekzekutimet në Shqipëri, si në Siçilinë e viteve ’80. Rendi dhe siguria janë jashtë kontrollit

12 Tetor 2026
Avokati Kujtim Cakrani, i ftuar në emisionin “Pika mbi i” në Ora News, ka komentuar ngjarjen e rëndë në Gjirokastër, ku një automjet shpërtheu nga lënda plasëse. Cakrani e cilësoi ngjarjen si të mirëorganizuar, me tipare mafioze, ndërsa ngriti shqetësime për kapacitetet e prokurorisë së Gjirokastrës për të hetuar raste të kësaj natyre.
“Rendi dhe siguria në vend janë jashtë kontrollit. Ka kohë, nuk është tani. Ne vetëm numërojmë ngjarjet, numërojmë viktimat edhe rastet. Dhe nëse do të bëjmë një krahasim me çfarë po ndodh në Shqipëri, të rasteve të tilla, ose vrasje të tilla, ose në forma të ndryshme, ekzekutime të tilla më saktë, i kemi parë vetëm në Siçilinë e viteve 80. Kur Toto Rina në Palermo vriste kë gjente para, kë kundërshtar, për të fituar terrenin e për të marrë, për të marrë Palermon. Kështu po ndodh sot në Shqipëri. Problemi është ky që bilanci është shumë i rëndë.
Mënyrat se si ekzekutohen janë mënyra tipike mafioze. Dhe në këtë, në këtë drejtim duhet të hetojë prokuroria. Kjo është një ngjarje që do ta hetojë prokuroria e Gjirokastrës.
Dhe të jeni të bindur, me ata prokurorë të rinj që janë aty në sistem, nuk e kanë as aftësinë, as background-in, as formimin që të bëjnë hetime të kësaj natyre. Ku sepse një ngjarje e tillë ka patur një organizim të mirëmenduar. Nuk është një ngjarje që u goditën aty, u zunë, patën një sherr banale dhe, dhe, dhe u vranë, por ajo ka qenë e mirëmenduar, është vendosur lënda plasëse, ka patur telekomandën, pra ka qenë një organizim tamam ashtu siç thashë mafioz.
Dhe kështu që kjo, këto ngjarje kërkojnë prokurorë të një niveli të lartë, padyshim edhe oficerë policie të një që të kenë një background në këtë lloj fushe, pra të jenë të specializuar. Nuk mundet prokuroria e Gjirokastrës, një prokurori periferike, me prokurorë, pa prokurorë, plotësojnë s’plotësojnë, mungojnë s’mungojnë, që të hetojë ngjarje të tilla”, u shpreh Cakrani.
