Mitrush Kuteli

14 Shtator 2025

Muzeu Historik Kombëtar kujton sot në 118-vjetorin e lindjes Mitrush Kutelin, një prej figurave më të rëndësishme të kulturës shqiptare.

Dhimitër Pasko, i njohur me emrin e artit si Mitrush Kuteli, lindi në Pogradec më 13 shtator 1907. Shkrimtar, ekonomist, kritik letrar, përkthyes dhe folklorist, ai ishte edhe një ndër themeluesit e Lidhjes së Shkrimtarëve. Kuteli gjithashtu cilësohet si themelues i prozës moderne shqipe.

Edukimin e nisi në qytetin e lindjes, për ta vazhduar më pas në Selanik të Greqisë. Në vitin 1928 nis studimet në Rumani për shkenca ekonomike, por njëkohësisht ndjek kurse të ndryshme letrare dhe gjuhësh të huaja.

U diplomua më 1931 dhe në shkurt 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare me vlerësimin më të lartë “Diplomam Magnam cum Laudæ” në Universitetin e Bukureshtit. I spikatur për pikëpamjet e tij demokratike, ai nuk mund t’i shpëtonte dorës së hekurt të diktaturës. Burgoset në vitin 1947 me akuzën armik i popullit me 5 vjet heqje lirie. Një pjesë të dënimit e kreu në kampin e Vloçishtit në Maliq. Do të lirohej nga burgu më 1949, pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike me Jugosllavinë.

Kushtet në të cilat do të ndodhej pas lirimit nuk do t‘i jepnin atij mundësinë e botimeve, duke i mohuar kështu shprehjen e talentit të tij në letërsi. Deri vonë ai do të merrej me përkthime duke gjetur në këtë mënyrë një ngushëllim ndaj zvetënimit të vullnetit të lirë që karakterizonte atë kohë absurde.

Përktheu autorë të mëdhenj si Gogol, Tolstoj, Turgenjev dhe Eminesku, duke pasuruar gjuhën shqipe me vepra klasike botërore. Disa prej veprave të tij do të konfiskoheshin dhe do të humbnin përgjithmonë. Mitrush Kuteli ndërroi jetë më 4 maj 1967, duke lënë pas vepra të një gjuhe të pasur dhe personazhe të pavdekshëm.

Ndër veprat e tij më të spikatura janë: “Ago Jakupi e të tjera rrëfime”, “Kapllan Aga i Shaban Shpatës”, “Xinxifillua”, “Tregime të moçme shqiptare”, “E madhe është gjëma e mëkatit”, “Në një cep të Ilirisë së Poshtme”, “Baltë nga kjo tokë” etj. Gjithashtu, ka përkthyer në shqip vepra të Turgenjevit, Gorkit, Gogolit dhe Nerudës.

Akademia e Shkencave i ka akorduar titullin e lartë “Nderi i Akademisë”, për trashëgiminë e pasur që i la qytetërimit shqiptar.

Nga OraNews