Festivali i Kenges ne Radiotelevizion

Festivali i Kenges ne Radiotelevizion
Edicioni i 49-të i Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar do të mbahet në datat 23, 24 dhe 25 dhjetor në skenën e Pallatit të Kongreseve. Shumica e këngëtarëve pjesëmarrës në këtë festival janë të rinj. Por do ketë edhe rikthime, ndër ta veteranë të skenës si Françesk Radi me këngën "Kemi dasëm'o", apo Dorian Nini, i cili vjen si këngëtar në këtë skenë me krijimin e Jetmir Barbullushit "Mirë se vini në Shqipëri". Provojnë sërish Adhurim Demiri, Kujtim Prodani e Edmond Mancaku. Një tjetër kthim është edhe ai i Aurela Gaçes, e cila do të këndojë një krijim të Shpëtim Saraçit.

Gaçe ka kënduar për herë të fundit në skenën e këtij festivali në vitin 2001, kur ka fituar edhe çmimin e parë me këngën "Jetoj" të kompozitorit Adrian Hila. Emra të tjerë të njohur kësaj radhe janë Alban Skënderaj dhe Miriam Cani, Besa Kokëdhima, Kamela Islamaj, Saimir Braho, Marsida Saraçi, Kejsi Tola, etj.

Skena ku do të mbahet sivjet ky festival do të jetë nju ndërthurje e elementëve tradicionalë me ata modernë. Skenari u është besuar gazetareve Zefina Hasani e Iva Tiço, të cilat i shtojnë këtij edicioni edhe një risi, atë të një reviste, e cila do të dalë në dy numra. Dy prej prezantuesve vijnë nga fusha e muzikës dhe një nga aktrimi. Këngëtarët do të shoqërohen nga orkestra e Radio Televizionit Shqiptar. Baza orkestrale do të jetë e regjistruar, ndërsa harqet do të jenë "live". Votimi i jurisë do të jetë i drejtpërdrejtë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama