Basha e Berisha braktisin Halim Kosoven

Basha e Berisha braktisin Halim Kosoven

Një fushatë të vetmuar dhe pa mbështetjen e figurave qendrore të partisë, ndonëse kandidon për bashkinë më të rëndësishme në vend. Eshtë kjo fotografia e javëve të para të përballjes me elektoratin të mjekut Halim Kosova. Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Tiranës, prej prezantimit më 17 prill në qendër të qytetit në mënyrë të bujshme nga kreu demokrat Lulzim Basha, nuk është ndalur duke bërë fushatë këto tre javë.

Por në jo pak raste, edhe kundër disa premtimeve të parealizuara të kryetarit aktual të bashkisë, Lulzim Basha. Kosovës, që nga fillimi i fushatës, i është dashur të përballet me gjendjen e vështirë të kryeqytetit dhe mangësitë e administrimit të qytetit nga Basha. Nga ajo kohë, deri më tani, ai ka zhvilluar dhjetëra takime me kategori të ndryshme, nga ku ka mësuar se pakënaqësia e qytetarëve është e madhe. Halim Kosova është përpjekur të justifikojë premtimet e pambajtura të Lulzim Bashës, por edhe e ka goditur atë.

Java e parë

Në turin e takimeve në javën e parë, kandidati i PD-së për kryeqytetin është shoqëruar nga dy deputetët e rinj, Gert Bogdani dhe Jorida Tabaku, si dhe nga dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi. Ngjitja përkrah tij e Malltezit la përshtypjen se dy figurat kryesore të partisë, Basha e Berisha, do të angazhoheshin maksimalisht për të ndihmuar mjekun gjinekolog në garën për kryeqytetin. Por në fushatën e gjatë të dëgjesave me qytetarët, mjekët, aktorët, gratë e larguara nga puna, si dhe me banorët e vjetër të Tiranës, u vu re një distancim i figurave të rëndësishme të PD-së. Në asnjë nga takimet me këto grupe të komunitetit, Kosova nuk është shoqëruar me ndonjë deputet ose figurë e rëndësishme të PD-së.

Sa më shumë që ditët kalonin, aq më tepër shtohej barra e përgjegjësisë për të përballuar fushatën i vetëm, pasi Basha ishte një ditë në Shkodër, ndërsa ditën tjetër në Sarandë, Vlorë apo Lushnje. Ndonëse në javën e parë afër tij është parë Malltezi, Bogdani apo Tabaku, në javën e dytë aspiranti për kreun e kryeqytetit nga kampi opozitar e ka parë veten krejt të vetëm. Duke bërë bilancin e javës së parë, Kosova tashmë e kishte të qartë se përveç se do të përballet me rivalin e tij, Erjon Veliaj, duhet të paguajë dhe faturën e qeverisjes, që i kishte lënë “peshqesh” Basha. Po ashtu Kosova në javën e parë ka bërë fushatë në tregun e ish-uzinës “Di- namo”, është mbyllur nga Basha.

Java e dytë

Në javën e dytë, Kosova e nisi ballafaqimin me “rivalin” e tij të vërtetë, i cili nuk ishte Erjon Veliaj, por kryetari aktual i bashkisë, Lulzim Basha. Përballja me Bashën ishte e paevitueshme në javën e dytë. Teksa kandidati demokrat takonte në terren fasonët, tregtarët, biznesmenët e mesëm dhe pa që përkrahja gjatë qeverisjes lokale të demokratëve kishte patur probleme, iu desh të ndryshonte kursin e të bërit fushatë. Nëse në javën e parë Kosova vetëm dëgjonte qytetarët, në të dytën përveçse dëgjonte preokupimet e tyre, nisi dhe të jepte premtimet e para. Halim Kosova filloi të shpalosë programin për më shumë shkolla, kopshte, lulishte, tregje, rrugë të asfaltuara gjatë takimeve me mësuesit e edukatorët. Strategët e fushatës së PD-së, në mesin e javës së dytë, u kujdesën që Kosova në daljet e para publike të sjellë njeriun që komunikon thjesht, me dialekt dhe ku bën gafa të vogla. Ai tashmë mundohet të sulmojë rivalin e tij për mosndarjen e ndihmës ekonomike në mënyrë të pandershme sa ishte ministër, duke i ikur çështjeve të kryeqytetit.

PD, duke parë se fushata e kandidatit të tyre mund të interpretohej si kundër kryetarit Basha, mori vendim që Kosova të merrej me Veliajn si ish-ministër. PD-ja e akuzoi Erion Veliajn se ka premtuar vëmendjen ndaj shtresave në nevojë, por nuk e ka realizuar. Ndër premtimet e parealizuara të Veliajt, ata renditën edhe dëmshpërblimin në vitin e parë të qeverisjes për të gjithë ish-të burgosurat gra mbi 70 vjeç dhe ish-të burgosur burra mbi 75 vjeç. Por Veliaj, ndryshe nga Halim Kosova, ka mbështetjen e kreut të PS-së, i cili e ka shoqëruar në disa takime në kryeqytet.

Java e tretë

Gjatë tre ditëve të fundit, kandidati i opozitës, Halim Kosova, ka vizituar fshatrat e Tiranës, ku është njohur me prapambetjen e tyre. Ai u ka premtuar atyre se do të bashkëpunojë me çdo forcë politike në të mirë të kryeqytetit dhe qytetarëve, në ndryshim nga situata aktuale, ku bashkëpunimi me qeverinë ende mbetet një ngërç në drejtimin e bashkisë së kryeqytetit. Edhe në fshat ka qenë i vetëm. Në fakt prej më shumë se 15 ditësh, Kosova e ka bërë fushatën pa pjesën tjetër të demokratëve. As Basha, as Berisha, madje as dhe ndonjëri nga deputetët e rëndësishëm të PD-së, nuk e kanë shoqëruar në takimet që po zhvillon me qytetarët e Tiranës.

Halim Kosova refuzon debatin me Erion Veliajn

Në fillim të kësaj jave kandidati i mazhorancës për Tiranën, Erion Veliaj, ka kërkuar nga rivali i tij që të përballen në një debat televiziv. Por Halim Kosova ka refuzuar dhe në të gjithë takimet që ka zhvilluar këtë javë, është munduar të shpjegojë “pse”-në e refuzimit në debat publik me kandidatin e majtë. Në më shumë se një rast me stilin e tij të thjeshtë, është detyruar të thotë se “është e koha e punës dhe jo e llafeve”. Po ashtu ai është shprehur se “shqiptarët janë mërzitur nga debatet”, duke refuzuar kështu për- balljen me rivalin kryesor Erion Veliaj. Në të gjithë zgjedhjet lokale, por dhe ato qendrore, opozitarët e kanë kërkuar përballjen dhe pushtetarët i janë shmangur asaj. Por këto zgjedhje për herë të parë kandidojnë dy emra të rinj. Ndërkohë që pas zyrtarizimit të Kosovës, kreu demokrat nuk është parë me Kosovën, ndërsa vetëm brenda tre javësh është parë më shumë se tri herë në Durrës, përkrah Grida Dumës. Vetë Basha duket se ka evituar ballafaqimin me shtresat e komuniteteve të ndryshme që po mban Kosova.

Korsitë e biçikletave

Kandidati i djathtë për bashkinë e Tiranës, Halim Kosova, është ndalur në një bashkëbisedim me qytetarë në zonën e “Rrugës së Kavajës”. Kryefjala e diskutimeve ka qenë ndotja e madhe e ajrit në Tiranë, të cilën Kosova e ka cilësuar si shumë të rrezikshme për jetën e çdo qytetari. “Shëndeti i qytetit është shëndeti i qytetarit”, ka thënë ai duke premtuar se me marrjen në drejtim të bashkisë së Tiranës do të shtojë numrin e parqeve, pemëve, këndeve të lojrave për fëmijë, si mundësi për të ulur ndotjen e madhe.

“Kam bredhur në të gjithë Tiranën dhe ju zotohem se do të vij tek secili prej jush me ekspertët më të mirë e do të bëjmë më të mirë. Aty ku ka nevojë për një park do e bëjmë, aty ku ka nevojë për një rrugë do ta bëjmë, të mbjellim pemë aty ku është e nevojshme të mbjellim pemë”, tha Kosova. Ndërsa interesit të qytetarëve se çfarë do të bëjë ai për rritjen dhe futjen e një fryme për përdorimin nga ana e qytetarëve të transportit ekologjik, ecjes, biçikletës, Kosova ju përgjigj se për shkak të fushatës këto ditë ka udhëtuar shumë në këmbë.

Kosova hedh ide për Spital bashkiak

Kandidati i koalicionit të djathtë për Bashkinë e Tiranës ka zgjedhur profesionin e tij si armën më të fortë kundër kandidatit të mazhorancës. Halim Kosova tha, gjatë një takimi që pati të enjten me banorët e zonës së Laprakës në kryeqytet, se Tirana do të ketë spitalin e saj bashkiak. Menaxhimi i këtij spitali, nëse do të mund të fitojë në garën elektorale të 21 Qershorit, sipas Halim Kosovës, do të shërbejë si model e njëherësh do të jetë konkurrent i sistemit shëndetësor, të propozuar nga qeveria. “Ideja ime është që në ndihmë të qytetarëve të Tiranës, Bashkia e ardhshme e Tiranës të ketë spitalin e saj bashkiak që me menaxhimin dhe me syrin e vëmendjen time do të krijojë një model, ashtu sikurse edhe në detyrat e mia të mëparshme”, tha Kosova.

Duke u ndalur tek përvoja e tij menaxheriale, Kosova tha se do të garantojë transparencë. “Mu në mes të Tiranës do vendos një tabelë të madhe, ku në mënyrë transparente, çdo qytetar të shohë se ku ikin lekët e taksave, si shpërndahen ato, kush paguan e kush jo”, u shpreh Kosova. Në përgjigje të konstatimit të një qytetari të zonës, se Partia Demokratike u dëmtua për shkak se nuk kishte kërkesë llogarie ndaj administratës, Kosova u shpreh: “Njerëzit me meritë, njerëzit të përkushtuar, njerëzit që do ndjekin hapin tim do jenë bashkëpunëtorët e mi më të ngushtë. Për asnjë tjetër që ju ka cenuar dinjitetin, që ju ka penguar, që ju ka ofenduar, që ju ka prishur diçka aty ku jetoni, nuk ka se si kurrë të jetë pas meje, të jetë pranë meje”, deklaroi Kosova.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama