Nga Daniel Muçaku.

Një fshat i cili cilësohet me një pasuri kulturore të rrallë, aty ku legjendat e Skënderbeut të shoqërojnë në çdo cep të tij. Ky fshat quhet Rrajcë-Skënderbe. Historia e luftës së përgjakshme e Torviollit më 29-qershor të vitit 1444 e cila vuri përballë Skënderbeun me gjeneralin e njohur turk Ali Pasha.

Sapo hyn në këtë fshat përpara sysh të shfaqet “Shkalla e Skënderbeut” ku sipas gojëdhënave dhe historianëve thuhet se ai e preu me shpatë shkëmbin duke i hapur rrugë ushtrisë së tij, si dhe për ti bërë kurthin ushtrisë turke. U vranë aq shumë ushtarë saqë u deshën plot tri vjet që trupat të tyre të kalbeshin. Që prej asaj kohe ai u emërua si “Fshati i Skënderbeut”., Me pyjet e vjetra të ahut, është shpallur si fshati më i bukur në Shqipëri duke u përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Por a thua vallë të jetë kaq unike kjo zonë? Përse të rinjtë e kanë braktisur vendin e tyre? Kush janë problemet me të cilat përballen çdo ditë? Çfarë fsheh ky vend? Përse askush nuk kujtohet për ata? Si mbijetojnë këta njerëz, si e sigurojnë jetesën e tyre? Stafi i Dritare.net udhëtoi në këtë fshat, për tu njohur më nga afër me misteret dhe vështirësitë e kësaj zone.

Banorët mbajnë kokën lart, kur bëhet fjalë për heroin tonë kombëtar, Skënderbeun. Bukuria e natyrës së virgjër ku njeri nuk ka vënë dorë prej shekujsh, e bën këtë vend unik, dhe më të frekuentuarin nga turistët e huaj dhe vendas. Udhëtimit tonë për në këtë fshat të bukur, ju bashkua edhe Gëzim Bogadani, bariu i këtij fshati i cili flet me krenari për legjendat dhe gojëdhënat.

Gëzim Bogdani: “Zoti na ka bekuar me këtë mrekulli qoftë natyrore apo edhe kulturore, me mijëra turistë nga të gjitha vendet e vizitojnë Rrajcë-Skënderbeun. Fshati ynë i ka trashëguar brez pas brezi legjendat dhe gojëdhënat. Ishte pikërisht ky vend që po flasim ku Skënderbeu mposhti ushtrinë turke. Gojëdhënat thonë se ai e theu shkëmbin me shpatë duke kaluar në anën tjetër të shkëmbit, duke u bërë gjëmën atyre, ajo ka qenë disfata më e madhe e osmanëve.

Në fakt ky fshat është i veçantë, arsyeja është e thjeshtë mund të hedhësh një sy përqark edhe të kuptosh se këtu gjen parajsën. Kemi një kulturë që çdo fshat do ta kishte zili, pavarësisht se fshati jeton përqafe me varfërinë, të paktën frymëzohemi me heroin tonë kombëtar”-shprehet ai.

Por si për ironi të fatit, çdo gjë e bukur, ka dhe anët e saj negative. Rruga është një shteg i masakruar, ku çdo mjet do ta kishte të vështirë. 10km nga pjesa e fundit e shtruar, në majën e malit të zbardhur nga dëbora gjendet fshati Rrajcë Skënderbe me shtëpitë e mbledhura që bie në sy për vjetërsinë e tyre.

Sot ky fshat, është i braktisur nga të rinjtë, deri në vitet ‘90 familjet që mali i Skënderbeut mbante në sup ishin rreth 200, por sot ato numërohen me gishta. Nuk është e vështirë të kuptosh se pse janë larguar, infrastruktura e rrënuar dhe shumë elementë të tjerë nuk u dhanë alternativë tjetër.

Nëse ke ndonjë rast urgjent, të sëmurë apo ndonjë problem tjetër, duhet të paguash jo më pak se 2.000 lekë të reja për në qytetin më të afërm të Përrenjasit. Ndërsa lëvizja normale, bëhet me fugonin e zonës ku shoferi vë në rrezik jetën e tij, pasi rruga është me të vërtet në mëshirë të fatit.

Të mbijetosh në këtë fshat, është më shumë se e vështirë, pothuajse të gjitha familjet janë në varfëri të plotë, shtëpitë e vjetra po bien, e mes tyre banorët do ta kenë më se të vështirë të jetojnë. Mjafton të shikosh në rrugicat e fshatit edhe do të të duket sikur je rikthyer prapa në kohë, ose sikur ke marrë imazhe nga ndonjë film mesjetar, kudo rrënim.

Fëmijët e fshatit u duhet të bëjnë mësim në një shtëpi, e cila është marrë me qera nga një banor i nderuar të cilin e paguajnë me 5000 lekë të vjetra pasi është e pamundur të ketë mënyrë tjetër që këta fëmijë të arsimohen.

Për të shkuar në shkollën e mesme nga fshati Rrajcë-Skënderbe në Rrajcë duhet të nisesh në orën 04:30 të mëngjesit për të kapur mësimin në orën 08:00. Prindërit shprehen të shqetësuar, frika e tyre e madhe reflektohet tek sytë e tyre.

Bukuria e maleve të kuqë të mbuluar nga dëbora e bardhë, për këta banorë është një shpëtim edhe një mënyrë mbijetese. E vetmja mënyrë ku disa burra të fshatit sigurojnë disa të holla janë bimët mjekësorë dhe shitur dru per zjarr, ku punohet rreth 6 muaj në vit, për të jetuar edhe ato 6 muajt e tjerë. Mjafton të shikosh fitimin për të kuptuar sesi jetojnë, pjesa tjetër mbizotëruese e fshatit me të moshuar marrin ndihmë sociale.

Për investime nuk bëhet fjalë, a thua se qeveria shqiptare nuk ekziston? “Kurrë… kurrë nuk ka ardhur të na shikojë Miranda Rira, hera e fundit që e pashë ishte dita e votimeve, ku na premtoi aq shumë saqë nuk mund ti kujtoj dot për momentin”- shprehet një banor në moshë të thyer për kryetaren e bashkisë Përrenjas.

Adem Halili, tregon eksperiencat e tij kohë më parë ku vetëm ai kishte rreth 300 dele edhe lloje të ndryshme bagëtish në fshat, por sot atij nuk i ka ngelur më asgjë. Ai bën krahasimin e kohës më parë dhe të tashmes, por nuk gjen gjë tjetër tek ai veçse urrejtje, i zhgënjyer ai mallkon më shpirt gjendjen që shteti e ka harruar atë gjë banorët e asaj zone.

Si për ironi të fatit nëna e tij dergjet në shtrat duke e bërë jetën e tyre akoma më të vështirë. Nuk mund të bësh dallimin nëse është shtëpi apo kasolle, por ata jetojnë aty. Ai u bën thirrje të gjithëve të investojnë për këtë bukuri që natyra u ka falur, të bëjnë diçka që t’i hapë rrugën çdo perspektive për ndonjë punë të mundshme.

“Mbaj mend kur rreshtoheshin delet edhe i milja bashkë me vajzat e mia. Të kishte qejf shpirti të shikoje gjithçka në vijë, të rinjtë të gjithë rreth e përqark, harmonizimi, dashuria mbizotëronte bashkë me famën e të madhit Skënderbe. Tani… ahh tani, siç mund ta shikoni edhe vetë nuk ka ngelur asgjë, as rrugë, nëse të ndodh diçka këtu je i mbaruar, nuk ka shpëtim. Kemi një furgon, por ai është privat, nuk kemi aq të ardhura sa të lëvizim çdo ditë, pasi kushton. Jemi keq more bir, nëna ime dergjet në shtrat, është 95-vjeç, ilaçe nuk mund ti blej dot. Tallen me ne, jemi të pafuqishëm për t’u kërkuar llogari. Jeni në fshatin më të bukur të Shqipërisë, por jetojmë si në kohët e mesjetës” – shprehet mes lotësh Azem Halili.

Ky fshat është pjesë e bashkisë Përrenjas, por thjeshtë zyrtarisht sepse praktikisht nuk e dinë se ku do ti kërkojnë të drejtat e tyre, kujt ti qahen për problemet e shumta që ka ky fshat legjendar me figurën e Skënderbeut.

I gjithë ky fshat ka ngecur në mes: Në njërën anë skamja që i ka marrë përposhtë, në tjetrën që askujt mos ti shkojë ndërmend të bëjë investime në këtë zonë. Por a kanë edhe këta njerëz të drejta? Si duhet të jetojnë këta fëmijë të vegjël? Si dhe a duhet të përgjigjet dikush, të paktën për ta?

Në këtë vend ndoshta është e tepër të flasësh për varfëri sepse edhe ajo vetë do të kishte frikë të jetonte./

Huazuar nga: “Dritare.net”