Lahutari rugovas, Rrustem Bajrami

17 Mars 2026
Rrustem Bajrami-Imeraliaj vdiq më 2 mars 2026
Lahutari rugovas, Rrustem Bajrami, i vëllazërisë së madhe Nikçi, vdiq në moshën 94-vjeçare. Lahutën, që i ra rreth 80 vjet pa u ndalur, sidomos në kohën e robërisë, ua la pasardhësve. Ishte i lindur në katundin Shtupeq i Madh, Rugovë, në lagjen Imeraliaj, më 1932. Rrjedh prej një familjeje të madhe e të njohur dhe me lahutarë ndër pesë breza. Edhe i ati i tij, Bajram Rrustemi, ishte lahutar. Lahutar ishte edhe gjyshi i tij, Rrustem Bajri, martir, që u vra mizorisht nga kriminelë të Malit të Zi, 70 vjeç, më 1930. Brezat vijues të kësaj familjeje po e vazhdojnë traditën. Edhe i biri, Sylë
Rrustemi, është lahutar, po edhe i biri i të birit, Gani Syla, është lahutar, që janë po ashtu në projektin e dosjes Eposi i Kreshnikëve, për UNESCO.
Rrustemi nuk ka qenë në shkollë. Këngët i mësoi nga i ati dhe të tjerët. I lavdëronte lahutarët shtupeqas, Metë Rrustemi-Nilaj dhe Eles Mahmuti-Ibërdemaj. Lahutës i ka rënë në Rugovë e në Rrafsh të Dukagjinit. –“Me ra n’flakë t’barutit, nuk t’rrudhet syni mas kang’s lahut’s’’. Ashtu më tha, më 8 gusht 1986, në Frashën, në familjen e tij shumë mikpritëse, kur tërë natën këndoi dhe i ra lahutës derisa doli drita. Aty isha për incizim me magnetofon, me shoqëruesin e pandarë në terren, me nipashin Zymer Syla i Sylë Mehmetit, në kuadër të realizimit të projektit tim “Epika legjendare e Rugovës”, 1979-1988, që ka pesëmbëdhjetë vëllime me mbi njëqind mijë vargje.
Rrustem Bajrami ishte anëtar shumëvjeçar i ansamblit folklorik autokton “Rugova,” pasuri monumentale e trashëgimisë sonë kulturore. Për nga pamja dhe veshja rugovisht ishte ndër lahutarët më epikë të Rugovës. Kishte fuqi kreshniku.

Lahutari rugovas, Rrustem Bajrami

Si kreshnik i binte edhe lahutës dhe këndonte për kreshnikët. Ka marrë pjesë në shumë festivale dhe në manifestime brenda e jashtë vendit, me ansamblin “Rugova.”
Për repertorin e tij të kreshnikëve ka pasur interesim nga disa mbledhës. Ka një këngë të botuar në Tiranë, në Institutin e Kulturës Popullore, më 1983, Muji msyn kullat e Mehmet Agës, 1979, mbledhës Agron Xhagolli. Ka edhe një motërzim të kësaj kënge, me titull Muja m’syn kullat e Mehmet Agës, e mbledhur nga Sadri Fetiu, që ruhet në Arkivin e Institutit Albanologjik të Prishtinës.
Këngët e Rrustemit të Eposit të Kreshnikëve, që i incizova në gusht 1986, në Shtupeq të Madh, janë shtatë: Ali Bajraktari, Deli Rizvan Aga, Muja e Halili zëhen ropë, Tridhet’ ag i liron Halili, Arrnaut Osmani, Gjelina e Bardhë, Paun Harambashi. Këngët e tij do të botohen në librin me këtë titull: Zymer Ujkan Neziri, Epika legjendare e Rugovës, këngë të kreshnikëve dhe ba­la­da, lahutari Rrustem Bajrami- Imeraliaj.

Lahutari rugovas, Rrustem Bajrami

Rrustem Bajrami-Imeraliaj vdiq më 2 mars 2026, në Prishtinë. Varrimi i tij u bë në varrezat e katundit Dardan (Zllapek) të Pejës, të nesërmen, më 3 mars, kurse e pamja për kryeshëndosh u mbajt në Pejë. Na la të pikëlluar dhe e la thatë vendin e nderit që kishte ndër lahutarët e Rugovës dhe të Shqipërisë së Veriut.
Nga: Zymer Ujkan Neziri