17 Mars 2026

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka kritikuar mënyrën se si po trajtohet projekti i portit në Porto Romano, duke theksuar se vendimmarrja për këtë çështje ka pasur gabime serioze.

Në “Studio24”, Malaj u shpreh se nuk mund të ndërpritet aktiviteti i Porti i Durrësit pa qenë më parë gati një port i ri funksional.

Sipas tij, logjika e zhvillimit të një projekti të tillë duhet të ishte e kundërta: fillimisht ndërtimi i portit të ri dhe vetëm më pas lirimi i hapësirës së portit ekzistues.

“Një qeveri nuk mund të marrë një vendim të lehtë dhe të bllokojë aktivitetin e portit pa pasur një port të ri gati. Duhej ndërtuar porti i ri dhe më pas të lirohej porti i vjetër. Këtu kemi gabime nga më elementaret”, u shpreh ai.

Malaj kritikoi gjithashtu projektin për zhvillimin urban në zonën e portit aktual, duke thënë se porti po lirohet për një projekt ndërtimi banesash, ndërsa sipas tij nuk ka ende qartësi për mënyrën se si do të realizohet ai investim.

Ish-ministri foli edhe për procesin e garës dhe mundësinë e anulimit të saj, duke theksuar se ndërprerja e një gare krijon kosto financiare dhe mund të sjellë procedura të reja.

Sipas Malajt, loja me “anulimin” ose “tërheqjen” nga gara mund të jetë e qëllimshme, pasi nga njëra anë mund të humben rreth 8.2 milionë euro, ndërsa nga ana tjetër mund të krijohet mundësia që kompania që është tërhequr të rikthehet sërish në garë.

Ai shtoi gjithashtu se projekti ngre pikëpyetje edhe për transparencën, duke përmendur faktin se shumë prej strukturave të përfshira janë të regjistruara në juridiksione offshore.

“Ka kompani të mëdha që përdorin struktura offshore, por zakonisht jo për të gjithë aktivitetin e tyre. Në këtë rast nuk dihet qartë kush janë pronarët e vërtetë”, theksoi Malaj, duke ngritur shqetësime për transparencën dhe kontrollin e projektit.