21 Gusht 2025

Një raport i ri i Kombeve të Bashkuara, “World Social Report 2025”, vë në dukje se sistemi fiskal i Shqipërisë ka efikasitet të ulët në reduktimin e pabarazisë sociale.

Sipas studimit, politikat fiskale në vende si Europa Perëndimore dhe Amerika e Veriut arrijnë të ulin ndjeshëm diferencat mes shtresave, ndërsa në Shqipëri ndikimi i tyre është mjaft i vogël.

Vendin tonë raporti e rendit pranë Rusisë, Serbisë dhe Malajzisë, me një ndryshim minimal mes koeficientit Gini të të ardhurave para dhe pas taksave. Ky tregues tregon se ndërhyrja e shtetit përmes tatimeve dhe ndihmës sociale nuk arrin të sjellë ndryshime të ndjeshme.

Në kontrast, vende si Irlanda, Belgjika, Finlanda dhe Austria kanë arritur të reduktojnë pabarazinë me mbi 12–16 pikë përqindjeje falë politikave të tyre fiskale. Krahasimi tregon qartë se në Shqipëri taksat dhe shpërndarja e shërbimeve publike nuk po funksionojnë si mekanizma të fuqishëm për balancimin social.

Raporti paralajmëron se nëse kjo situatë vazhdon, diferencat sociale në vend mund të thellohen edhe më shumë, duke frenuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe kapitalin njerëzor.

Sfidat kryesore mbeten punësimi i pasigurt dhe pesha e madhe e sektorit informal, që lë shumë qytetarë të pambrojtur dhe me të ardhura të paqëndrueshme.

Në përfundim, raporti e vendos Shqipërinë në grupin e vendeve me të ardhura mesatare të larta, por thekson se përparimi drejt një shoqërie më të barabartë dhe më të qëndrueshme kërkon reforma më të thella në sistemin fiskal dhe politikat sociale.