14 Gusht 2026

Rrënojat e një ure të lashtë romake janë shfaqur sërish në lumin Tiber, pasi një periudhë e zgjatur thatësire ka ulur ndjeshëm nivelin e ujit në Romë.

Bëhet fjalë për atë që njihet si Ura e Neronit, rrënojat e së cilës janë bërë të dukshme pranë Bazilikës së Shën Pjetrit.

Për javë me radhë, Roma ka pasur pak ose aspak reshje shiu, duke bërë që ujërat e Tiberit të tërhiqen dhe të nxjerrin në pah pjesë të strukturës së lashtë.

Ura dikur lidhte qendrën e Romës së lashtë me bregun e djathtë të Tiberit, në drejtim të zonës së sotme të Vatikanit.

Emri i saj lidhet me perandorin Neron, por arkeologët vlerësojnë se ndërtimi mund të jetë edhe më i hershëm. Sipas tyre, ura mund të jetë ngritur gjatë periudhës së perandorit Kaligula, paraardhësi dhe xhaxhai i Neronit.

Rishfaqja e rrënojave ka sjellë në vëmendje historinë e lashtë të Romës, por në të njëjtën kohë tregon edhe për situatën e vështirë të ujit në kryeqytetin italian.

Sipas Associated Press, rrjedha e Tiberit ka zbritur nën 80 metra kub ujë në sekondë, rreth gjysma e mesatares së muajit korrik.

Giovanni Gigandi, koordinator i qendrës së menaxhimit të ujit të Mbrojtjes Civile të Romës, tha se qyteti po përballet me një krizë të madhe uji. Sipas tij, reshjet gjatë dimrit ishin relativisht të bollshme, por më pas u pasuan nga periudha të gjata thatësire.

Niveli i ulët i Tiberit ka bërë që struktura historike, të cilat zakonisht mbulohen nga ujërat e lumit, të bëhen sërish të dukshme. Mes tyre janë edhe rrënojat e urës së lashtë, duke sjellë në sipërfaqe një pjesë të historisë së Romës që zakonisht qëndron nën ujë.