Të huajt për punë në Lezhë/ “Është shumë mirë”, dyfishohen kërkesat në muajt e parë të 2026-ës, kryesojnë filipinezët

filipinezët ne Shqiperi
22 Prill 2026
Numri i punëtorëve të huaj në Qarkun e Lezhës po rritet ndjeshëm, ndërsa prania e tyre tashmë shtrihet pothuajse në çdo sektor të ekonomisë.
Vetëm gjatë muajve të parë këtij viti janë regjistruar 150 aplikime për punësim, dyfish më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja e kërkesave lidhet kryesisht me mungesën e fuqisë punëtore vendase, duke i shtyrë bizneset të orientohen drejt tregut të huaj të punës. Ndërkohë, pjesën më të madhe të të punësuarve e zënë shtetasit nga Filipinet, por pa munguar edhe vende të tjera.
Edhe vetë punëtorët e huaj shprehen të kënaqur me kushtet dhe pagat në Shqipëri, të cilat sipas tyre janë disa herë më të larta se në vendet e origjinës.
“Jam prej një viti e gjysmë në Shqipëri. Disa miq na sugjeruan të vinim dhe rezulton se është shumë mirë. Në Filipine paguhesha 50–100 euro në muaj, ndërsa këtu marr rreth 500 euro”, shprehet Diana De Gracia, punëtore nga Filipinet.
“Kemi bërë kërkime para se të vinim. Na sugjeruan Shqipërinë për mundësitë e punës dhe ambientin pozitiv. Jemi ambientuar dhe jemi të kënaqur me kushtet dhe pagesat. Të ardhurat këtu janë shumë më të larta dhe kjo na jep siguri për familjet tona”, shprehte një tjetër punëtor i huaj.
Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Punësimit në Lezhë, gjatë vitit 2026 janë miratuar deri tani 150 aplikime për shtetas të huaj, nga të cilat 25 janë rinovime të lejeve ekzistuese. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë ishin vetëm 68 aplikime. Ndërkohë, gjatë gjithë vitit 2025 janë miratuar 872 aplikime për punësim të të huajve.
Bazuar në ritmet aktuale dhe kërkesat në rritje nga bizneset, pritshmëritë për sezonin në vijim mbeten të larta.
