22 Prill 2026

Predikimet fetare janë shtrirë dhe kanë prekur edhe institucionet arsimore parashkollore.

Bëhet fjalë për një çerdhe dhe kopsht privat që promovon në rrjete sociale fëmijët që lexojnë pjesë nga Kurani, ndonëse institucionet janë laike dhe është në kundërshtim me ligjin.

Jo vetëm urime në ditën e Bajramit, por të vegjlit e moshave nën 6 vjeç gjatë muajit të Ramazanit e jo vetëm janë aktivizuar në vizatime të simboleve islamike, madje siç shihen edhe nga këto pamje të siguruara nga gazetarja e Top Channel, Kristi Gongo, nën drejtimin e edukatores gjatë programit mësimor kanë shkuar në xhami.

Aktivitete të tilla janë publikuar në platformat online, ku i përshkruajnë si procese edukuese e kopsht që fëmijët trajtohen si të mëdhenj.

Ky institucion arsimor jopublik ndodhet në rrugicën përballë xhamisë Dine Hoxha dhe jashtë godinës nuk ka një logo identifikuese, edhe pse në internet gjen mjaftueshëm informacion mbi aktivitetin edukues që kryen.

Pas interesit të Top Channel pranë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë nëse kopshti privat “New Life” ishte në bashkëpunim me KMSH, zyrtarisht distancohen nga veprimtaria e tyre. Komuniteti Mysliman deklaroi se ka marrëveshje me Ministrinë e Arsimit vetëm në lidhje me medresetë që ofrojnë mësimdhënie nga klasa e parë deri në gjimnaz, si dhe me një universitet privat për studentët që besojnë fenë islame.

Por a është i licencuar ky institucion arsimor që promovohet në rrjete sociale me fëmijët në moshë delikate si predikues i fesë islame? Neni 7 i ligjit për sistemin arsimor parauniversitar e specifikon qartë laicitetin që duhet të ketë arsimi.

Përjashtim bëjnë vetëm ato institucione arsimore që themelohen nga bashkësi fetare, por KMSH e mohon qartazi këtë. Institucioni “New Life”, që ka të regjistruar dhjetëra fëmijë, e ushtron çdo ditë mësimdhënien në rrugën e Kavajës dhe kundërshtohet nga Komuniteti Mysliman të jetë nën varësinë e tyre.

Top Channel