Tao-Balluku dhe Agasi-Rama luftë të frikshme për pushtet dhe pasuri sipas pergjimeve që ka SPAKU

24 Shtator 2026
Kur Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) zbardh komunikimet e kupolës, ajo që del në dritë nuk është thjesht një fashikull hetimor, por radiografia e një regjimi që kafshon veten nga brenda. Dokumentet e fundit mbi bisedat e ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni, me Ergys Agasin, dëshmojnë se në zemër të shtetit nuk ekziston më një qeverisje institucionale, por një fushëbetejë e errët klanesh. Aty ku duhej të funksiononte ligji, komunikimet zbulojnë frikë, pazare emërimesh, shkëmbim informacionesh konfidenciale dhe një luftë të ftohtë për mbijetesë e pasuri midis dy grupeve që mbajnë peng qeverinë.
Prapaskenat
Dinamika e kësaj lufte prapa skenave nis e qartë në mesazhet e muajit gusht 2026, të cilat tregojnë ankthin e bashkëpunëtorëve të vënë në shënjestër. Më 19 gusht, Vlora Hyseni e informon Ergys Agasin se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hitaj, e kishte thirrur për një takim. Ajo që e bën këtë mesazh demaskues për natyrën e shtetit është mënyra se si Hyseni e lexon lëvizjen e kreut të policisë, duke shpresuar hapur te bekimi i ekzekutivit: “Skënderi më thirri me u taku të hënën…
Të shpresoj që ka porosit KM…” shkruante ajo, duke konfirmuar se uniformat blu dhe strukturat e rendit nuk lëvizin kurrë nga misioni kushtetues, por vetëm nga linjat e komandës politike dhe interesat e Kryeministrit. Në të njëjtën linjë komunikimi, brishtësia e situatës dhe ndjenja e bashkëfajësisë thellohen pak ditë më vonë, më 22 gusht, kur tonet e ish-kryetares së SHISH kalojnë në një solidarizim emocional përballë presionit të hetimeve. Fjalët e saj drejtuar Agasit – “Sa sh gjera na kanë bërë ne…. Të gjitha shpirt… O shpirt Kjo është një situatë që do ja hedhim… Problemi është koha… Sa konsistencë kemi….” – shfaqin qartë panikun e një kaste që e sheh terrenin t’i rrëshqasë nga duart dhe që llogarit çdo sekondë mbijetese përmes solidaritetit të grupit.
Klanet
Por përtej gjendjes psikologjike të personave nën hetim, dosja e SPAK shpalos hartën e re të pushtetit dhe prapaskenat e emërimeve në kupolën e shtetit. Ndërsa shkëmbejnë hallet e tyre, Hyseni i përcjell Agasit informacione paraprake se çfarë gatuhej në korridoret e mazhorancës, duke përmendur si mundësi kalimin e Taulant Ballës në krye të Kuvendit dhe lidhjet e tij me Belinda Ballukun, përmes frazës sinjalizuese se “Bela me Taon shoku”. Edhe pse fragmenti publik nuk zgjerohet në detaje mbi këtë aleancë, ai shërben si dëshmi e qartë se në PS ka një luftë të nëndheshme.
Detajet
Nga njëra anë del në pah boshti i konsoliduar mes Ballës dhe Belindës, të cilët kontrollojnë segmente të rëndësishme të vendimmarrjes. Në krahun tjetër pozicionohet grupi i Ergys Agasit dhe Vlora Hysenit, të lidhur ngushtë me skemat dhe strukturat e mbështetjes rreth Kryeministrit Rama. Përplasja e brirëve mes këtyre dy bandave për kontrollin absolut të pasurive, tenderave dhe kupolës shtetërore ka dalë përfundimisht në sipërfaqe, duke kthyer vendin në një protektorat interesash klanore ku shteti ligjor ka vdekur prej kohësh.
Përgjimet demaskojnë PS
Në fund të ditës, këto përgjime nuk dëshmojnë vetëm përfshirjen e individëve të veçantë në rrjeta korrupsioni, por shënojnë degradimin përfundimtar të oborrit socialist në fise që hanë kokat e njëri-tjetrit. Përtej fasadës së unitetit dhe disiplinës së hekurt që trumbetohet nga zyrat e partisë, rënia e fasadës zbulon një parti-shtet të copëtuar në llogore private. Aty, në vend të ideve apo vizionit politik, ka mbetur vetëm përleshja e egër për frerët e pushtetit, ku çdo emërim, çdo shërbim dhe çdo copë pushtet konsumohet si plaçkë lufte mes bandave që nuk ndajnë më vlera, por vetëm llogari mbijetese.
