Edi Rama dhjetra telefonata me Ergys Agasin gjatë kohës që ishte në kërkim, kryeministri vepër penale për mbështetje të të kërkuarit të drejtësisë

Edi Rama dhjetra telefonata me Ergys Agasin gjatë kohës që ishte në kërkim
24 Shtator 2026
Kryeministri Edi Rama duket se ka punën pisk me drejtësinë, pasi arrestimi i Ergys Agasit dhe masa e “arrestit të shtëpisë” për ish-drejtreshën e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hysenin priten t’i lëkundin atij karrigen e kryeministrit. Në dosjen e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për bandën Agasi-Hyseni del se edhe vetë kryeministri Rama ka komunikuar me “Agasin”, me dhjetëra telefonata, edhe pse ky i fundit ishte në kërkim nga drejtësia. Burimet konfirmojnë se kryeministri Rama ka dalë hapur në përgjime gjatë kohës që biznesmeni i kërkuar i fshihej ligjit.
Me këto veprime, Rama dyshohet se ka konsumuar dy vepra të rënda penale: atë të “Përkrahjes së autorit të krimit” (neni 302/2) për ndihmën ndaj një personi në kërkim që t’i shpëtojë kapjes, si dhe “Zbulimin e akteve ose të dhënave sekrete” (neni 295/a/1). Ndryshe nga ish-drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni, ndaj të cilës janë caktuar dy masa sigurie për të njëjtat vepra që dënohen me mbi 5 vite burg, kryeministrit deri më tani “nuk i ka hyrë asnjë gjemb në këmbë”.
Megjithatë, pritet që kjo dosje t’i hapë telashe të mëdha me SPAK-un. Edhe pse në podkastin e tij, kur u pyet për arrestimin e Ergys Agasit, Rama u përpoq të arsyetojë se afërsia personale nuk përbën funksion publik, ligji nuk bën përjashtime. Hetimet e reja po rrisin presionin dhe po vënë në pikëpyetje se deri kur kryeministri Rama do të mund t’i shmanget përgjegjësisë ligjore përpara drejtësisë.
Denoncimi
Ndërkohë lidhur me këtë skandal (aferë-dosje) ka hedhur akuza të forta edhe gazetari investigativ, Artan Hoxha, i cili ka zbuluar se në telefonin e Ergys Agasit janë gjetur telefonata shumë më të rëndësishme se ato me shefen e Shërbimit Informativ, Vlora Hyseni, duke përfshirë edhe komunikime të drejtpërdrejta me vetë kryeministrin Edi Rama. I ftuar në “Syri Tv”, Hoxha argumenton pse kryeministri Edi Rama është përgjegjës për inkriminimin e sistemit . “Kërkesa në gjykatë nuk është dërguar të hënën, edhe pse shefja e shërbimit është larguar të shtunën nga territori I Shqipërisë e duhej të vinte sot. Kemi hyrë në fazën e kryeministrit “kokat hëngshin’, sepse janë në fazën që po hanë kokat e njëri tjetrit.
Ajo që të bën përshtypje është se struktura që ka krijuar ky kryeministër është në formën e rrathëve centrikë. Sa më lart ngjitesh aq më shumë ngushtohen rrathët. Por sado t’i evidentosh rrathët, prapë nëse ti nuk godet qendrën kjo histori do të vijojë. Ne ndërkohë ishim me denoncimin e Arben Ahmetajt që shpërtheu një pjesë tjetër e sistemit. Për tu relativizuar ajo doli vila e dytë e Belindës, e meqë këta mundohen të luftojnë tek Belinda, doli krahu tjetër. Gysi dhe Belinda nuk kanë qenë ortakë. Këto ngjarje ngjajnë si telenovelat. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe Shefja e shërbimit Shtetëror emërohet nga kryeministri.
Çdo organizatë apo grup kriminal do të ketë akses tek drejtori i Përgjithshëm por Kryeministri ka ekskluzivitetin për t’i emëruar. Po nuk u godit ai që e ka krijuar sistemin, strumbullari që e mban në këmbë të gjithë këtë ngrehinë, kjo histori do të vijojë. Do të vijojë përsa kohë do të kemi këtë kryeministër. Kryeministri tha ne jemi qeveri që kemi meritën e kemi lejuar institucionet e reja të drejtësisë të hetojnë në mënyrë të pavarur. Jo, ti e ke mbushur sistemin me të inkriminuar. Mbështetur dhe tek akuza ‘përkrahje e autorit të krimit’ të ngritur ndaj Vlora Hysenit, tregon se shefja e SHISH ka pasur kontakte me Ergys Agasin, biznesmenin e akuzuar për aferat e AKSHI-t edhe gjatë kohës që ai ka qenë në kërkim.
Ndërsa zbulon se tek telefoni I Gysit janë gjetur telefonata shumë më të rëndësishme. “Akuza ‘përkrahje e autorit të krimit’ tregon se kontakti nuk ka qenë vetëm gjatë kohës që ka qenë i lirë por ka vijuar dhe pas kur ka qenë në kërkim dhe ka problem me drejtësinë. Tek telefoni I Gysit janë gjetur telefonata shumë më të rëndësishme se me shefen e shërbimit. Edhe me kryeministrin. Gysi është njeri që iu delegua pushtet për të bërë lidhjen mes dy botëve, bota e mbidheshme dhe e nëndheshme.
Operacioni i djeshëm krijoi panoramën se u afruam më afër, por me hap të kontrolluar. Të mos afrohemi më shumë seç duhet se vijmë tek paralajmërimi që ka dhënë kryeministri, mos guxoni të afroheni tek telefoni im dhe paradhoma ime. Publiku pret që të shkojë tek strumbullari” Po a është operacioni ‘shpërthim i kontrolluar’? Patjetër që është se po të ishte pa kontrolluar. Do të shkonte më lart. Gysi nuk ka folur vetëm me Vlora Hysenin. Kadastra dhe Hipoteka nuk ishte. A e di sa premtime ka bërë? Prokurorë e gjyqtarë janë takuar tek zyra. Ai u ka premtuar bosëve të krimit se do mbyll cështjen.
E mbi të gjitha shumë prona, leje ndërtimi që nuk po zbardhen se njeriu që ishte garant ishte Gysi. Si u bë ky kaq i rëndësishëm sa ta presë dhe shefja e shërbimit, drejtori i përgjithshëm i policisë, Kadastra, e Hipoteka. Kush ia delegoi këtë pushtet? Se Gysi nuk ishte njeriu i pushkës. Prandaj themi sado që të bësh nëse nuk shkon tek kryeministri që është strumbullari i këtij sistemi. Disheza është tatëpjetë por duhet sa më shpejt”, deklaroi dje Hoxha.
Reagon Gjoni
Nga ana tjetër, edhe deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ka akuzuar ashpër kryeministrin Edi Rama, duke ngritur pyetjen nëse ishte ai garanti i arratisë së Ergys Agasit. Gjoni nëgzon se përgjimet kriminale mes ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni. “A ishte Edi Rama garanti i arratisë së Ergys Agasit? Përgjimet kriminale mes ish Drejtores së SHISH, Vlora Hyseni dhe Ergys Agasit kanë brenda edhe rolin e kryeministrit Edi Rama. Ne kulmin e arratise se Ergys Agasit, Vlora Hyseni e njofton se drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita e kishte thirrur në takim.
Ajo që na rezulton nga përgjimet është se jo vetëm Vlora Hyseni por edhe Edi Rama ka ndihmuar Ergys Agasin gjatë arratisë së tij. Ky fakt provohet qartë në përgjimin ku Vlora Hyseni i drejtoher Ergys Agasit “Të shpresojmë që ka porosit km…”! Sot pyetja e që bëjmë të gjithë është një. A e ka thirrur për të dëshmuar Edi Ramen organi i akuzës. Çfarë duhet të bëjë tjetër Kryeministri që SPAK të marrë guximin për të kaluar “matane gardhit”?”, shkruan Gjoni në rrjetet sociale.

Edi Rama dhjetra telefonata me Ergys Agasin gjatë kohës që ishte në kërkim
Çfarë tha Rama për Agasin?
Kujtojmë se disa ditë më parë kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë publikisht për marrëdhënien e tij me biznesmenin Ergys Agasi, pas arrestimit të këtij të fundit. Në podkastin e tij “Flasim”, gjatë një monologu me Rudina Xhungën, Rama nuk e mohoi se ka pasur një marrëdhënie të afërt njerëzore me Agasin, por u përpoq ta ndajë këtë afërsi nga çdo përgjegjësi politike apo institucionale.
Rama tha se shumë njerëz mund të pretendojnë se flasin në emrin e tij, por sipas tij askush nuk është autorizuar prej tij të flasë apo të veprojë në emër të kryeministrit dhe të shtetit. “Afërsia me mua e një njeriu apo e një njeriu tjetër, nuk është funksion publik. As fotografia, as raportet personale dhe as pretendimi që unë e kam me atë, unë flas në emër të atij. Unë nuk kam autorizuar ndonjëherë ndonjë njeri që të flasë në emrin tim apo të bëjë punët e shtetit në emrin tim”, u shpreh Rama. Kryeministri pranoi se i vjen keq kur persona me të cilët ka pasur marrëdhënie njerëzore përfundojnë të ekspozuar si njerëz me probleme me ligjin, por shtoi se ndihet “i çliruar”, pasi sipas tij secili përballet vetë me drejtësinë.
“Patjetër që mua më vjen keq që gjendem në situatën kur një njeri që unë kam pasur një marrëdhënie njerëzore për një arsye apo një tjetër, ekspozohet si një njeri që ka probleme me ligjin. Por nga ana tjetër jam tërësisht i çliruar sepse përtej keqardhjes, secili atje është përballë ligjit me veten dhe avokatin e vet. Në emrin tim nuk flet kush. Në emrin tim flas vetëm unë”, tha Rama. Deklarata e kryeministrit vjen në një moment kur emri i Ergys Agasit është lidhur publikisht me afërsinë e tij me Ramën dhe me ndikimin që ai dyshohet se ka pasur pranë pushtetit.
Por, ashtu si në raste të tjera kur ministra, ish-zyrtarë apo njerëz të afërt me të kanë përfunduar në telashe me drejtësinë, Rama zgjodhi të distancohet duke e kthyer përgjegjësinë në çështje individuale. Me pak fjalë, kryeministri pranoi afërsinë njerëzore, por jo përgjegjësinë politike. Për Ramën, kur njerëzit e afërt janë në pushtet, afërsia është marrëdhënie; kur dalin para drejtësisë, ajo kthehet thjesht në fotografi.
Nga Gazeta Sot
