Afera “KAYO” krim kombëtar, ja si skema e Edi Ramës për grabitjen e parave të ushtrisë kanë shkelur disa ligje dhe Kushtetutën, banda e Ermal “Raketës”, Ardit “Fishekut” dhe Ard “Kapterrit” plaçkitësit e buxhetit të shtetit

24 Shtator 2026
Skema e mirëmenduar e qeverisë për të vendosur nën kontrollin e interesave private buxhetin e mbrojtjes kombëtare ka kapërcyer çdo kufi të ligjit dhe Kushtetutës. Afera e emërtuar “KAYO” përfaqëson një nga operacionet më të sofistikuara të korrupsionit shtetëror, ku e drejta sovrane e prodhimit ushtarak, asetet publike të patundshme dhe dhjetëra miliona euro nga Thesari i Shtetit po tjetërsohen në favor të një grupi të Paracaktuar.
Në krye të këtij mekanizmi grabitqar qëndron Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i njohur ndryshe si Ermal “Raketa” për shkak të aferave korruptive që e rrethojnë; drejtori i KAYO-s, Ard Veliu, i etiketuar si Ard “Kapterri”; si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes e ish-drejtori juridik i KAYO-s, Ardit Hysa, i njohur si Ardit “Fisheku”. Kjo bandë drejtuese ka shndërruar mbrojtjen kombëtare në një biznes privat të mbuluar me sekret shtetëror.
Në vend që të investohej në riaktivizimin e tre kombinateve historike – Poliçan, Gramsh dhe Mjekës – shoqëria shtetërore KAYO sh.a., e krijuar më 24 shtator 2024 me 100% kapital shtetëror prej 150 milionë lekësh, u shndërrua brenda pak muajsh në një “guaskë ligjore”. Pa asnjë aktivitet të drejtpërdrejtë industrial në bilancet e saj, KAYO sh.a. u përdor si një holding ndërmjetës për të pjellë entitete hibride me partnerë privatë.
Përmes kësaj teknike, ushtrisë dhe policisë u është fshirë garancia e barazisë në prokurime, ndërsa privatët kanë marrë në dorë çelësat e fondeve publike pa asnjë garë apo konkurrencë të lirë.
Zhveshja e shtetit dhe falsifikimi i garancive ligjore përmes VKM-ve me porosi
Rruga e ndjekur për t’i kaluar kontrollin e ushtrisë privatit pasqyron një sinkronizim frikësues mes vendimeve të ekzekutivit dhe interesave të caktuara financiare. Më 11 qershor 2025, qeveria miratoi VKM nr. 322, ku përcaktohej qartë se shteti duhet të ruante jo më pak se 45% të aksioneve në shoqërinë e mjeteve motorike ushtarake, duke i garantuar vetes një pakicë të kualifikuar bllokuese dhe duke futur në lojë mbi 20,000 m² pronë ushtarake. Mirëpo, vetëm tetë ditë më pas, më 19 qershor, ortaku privat Ron Yeffet bleu 49% të kuotave të kompanisë TIMAK sh.p.k. për çmimin qesharak prej 490 eurosh.
Reagimi i qeverisë ishte rrufe: më 10 korrik 2025, përmes VKM nr. 387, Këshilli i Ministrave ndryshoi vendimin e tij fillestar duke e ulur dyshemenë e pjesëmarrjes shtetërore nga 45% në vetëm 20%. Kjo i hapi rrugën regjistrimit të TIMAK DEFENCE sh.a. më 4 gusht 2025, ku shteti mbeti me vetëm 20% të aksioneve, ndërsa privati mori 80% të fitimeve dhe kontrollit.
E njëjta skemë grabitqare u përsërit me GUNA TACTICAL sh.a., e krijuar fillimisht me 51% pronësi shtetërore për të mbajtur iluzionin e kontrollit publik. Më 12 maj, përmes një marrëveshjeje të brendshme të mbuluar me klauzola strikte konfidencialiteti, KAYO sh.a. i shiti ortakut privat MSSC sh.p.k. vetëm 2% të aksioneve. Kjo shitje pa tender, pa vlerësim tregu dhe pa miratimin e Kuvendit e zbriti shtetin në pakicë (49%) dhe i dorëzoi privatit kontrollin absolut me 51%.
Iluzioni i vetos statutore dhe shkelja e hapur e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit
Arsyetimet e zyrtarëve të mbrojtjes se shteti ruan kontrollin përmes “të drejtës së vetos” në statutet e kompanive janë një mashtrim i pastër juridik. Sipas Ligjit nr. 9901/2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, e drejta e votës lidhet drejtpërdrejt me kapitalin e zotëruar. E drejta e vetos shërben vetëm për vendime të jashtëzakonshme si likuidimi apo shkrirja e kompanisë, ndërsa menaxhimi i përditshëm caktimi i administratorit, vendosja e marzit të fitimit, nënkontraktimet dhe fitimi i tenderave të ushtrisë bëhet tërësisht nga partneri privat që zotëron nga 51% deri në 80% të votave. Shteti mbetet vetëm një financier i heshtur që fal troje ushtarake, siguron mbrojtje fizike me Forcat e Armatosura dhe mbulon humbjet.
Kjo skemë shkel në mënyrë flagrante shtetin e së drejtës ekonomike. Përdorimi i këtyre kompanive private si entitete të rreme “in-house” për të anashkaluar ligjin e prokurimit public do dhunon hapur Ligjin nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Për më tepër, ky tjetërsim i aseteve kombëtare përbën shkelje direkte të Neneve 70, 72 dhe 74 të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) me Bashkimin Evropian, duke cenuar barazinë e operatorëve në treg dhe duke barazuar interesat e sigurisë kombëtare me pasurimin e paligjshëm të një klani pushtetarësh.
10 provat e grabitjes së buxhetit të ushtrisë përmes aferës “KAYO”
1. Grabitja e fondit 150 milionë lekësh: Themelimi i KAYO sh.a. me kapital fillestar 100% shtetëror prej 150 milionë lekësh shërbeu vetëm si guaskë financiare për t’i kaluar paratë e mbrojtjes te privatët pa kryer asnjë investim industrial.
2. Ulja abuzive e aksioneve nga 45% në 20%: Përmes VKM nr. 387, qeveria uli artificialisht pjesëmarrjen e shtetit te TIMAK DEFENCE sh.a., duke i dhuruar privatit 80% të kontrollit dhe të ardhurave ushtarake.
3. Falja e 20,000 m² pasuri të paluajtshme ushtarake: Shteti i vuri në dispozicion privatit mbi 20,000 m² troje dhe ambiente ushtarake falas, ndërsa të gjithë rentën ekonomike e vjelin partnerët privatë.
4. Shitja e 2% të aksioneve pa tender te GUNA TACTICAL: Shitja e fshehtë e 2% të aksioneve i zbriti aksionet e shtetit në 49%, duke i dorëzuar privatit kontrollin maxhoritar 51% në mënyrë të paligjshme dhe pa garë tregu.
5. Transaksione qesharake prej 490 eurosh për asete kombëtare: Kalimi i 49% të kuotave te ortaku i ri privat për vetëm 490 euro evidenton një skemë të pastër korruptive në dëm të pasurisë publike.
6. Shkelja e hapur e Ligjit të Prokurimit Publik: Trajtimi i shoqërive me shumicë private si entitete “in-house” u përdor për të anashkaluar tenderat e hapur dhe për t’i dhënë kontrata dhjetëra miliona eurosh pa konkurrencë.
7. Cenimi frontal i MSA-së (Nenet 70, 72 dhe 74): Anashkalimi i garës publike dhe favorizimi i oligarkëve të paracaktuar shkel drejtpërdrejt marrëveshjet ndërkombëtare të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.
8. Dhünimi i Ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”: Krijimi i monopoleve hibride shkatërron tregun e lirë dhe trajton burimet e thesarit të shtetit si feud personal të një grupi zyrtarësh.
9. Mashtrimi me “E drejta e Vetos”: Pretendimi se vetoja mbron shtetin është një iluzion juridik, pasi Ligji nr. 9901/2008 ia lë menaxhimin, fitimet dhe nënkontraktimet vetëm aksionarit privat me 51% deri 80%.
10. Tjetërsimi i fondeve të sigurisë kombëtare: Banda e “Raketës”, “Fishekut” dhe “Kapterrit” ka shkelur Kushtetutën duke e kthyer buxhetin e ushtrisë në një skemë mafioze private në dëm të interesave kombëtare.
