24 Shtator 2026

Detaje të tjera bëhen me dije nga dosja e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në lidhje me hetimin ku është përfshirë biznesmeni Ergys Agasi, i cili u arrestua pak javë më parë.

Sipas të dhënave të përfshira në dosjen e Prokurorisë, Agasit i janë vënë në dispozicion të dhëna që lidhen me disa telefona të zbërthyer nga Policia Shkencore.

Në dosje thuhet se këto të dhëna i janë dorëzuar Agasit nga Fatjon Kalluci, përgjegjës sektori në Institutin e Policisë Shkencore.

Sipas materialeve të hetimit, Kalluci i ka vënë në dispozicion Agasit aktet e ekspertimit të telefonave, të cilat ishin zbërthyer dhe analizuar në laborator.

SPAK po heton rrethanat në të cilat këto materiale janë siguruar dhe më pas i janë vënë në dispozicion Ergys Agasit, si dhe rolin e personave të përfshirë.

Kujtojmë që Fatjon Kalluci, me detyrë përgjegjës sektori në Institutin të Policisë Shkencore, u arrestua për nxjerrje te dokumenteve sekrete. Në pranga ra edhe Embro Sulejmani për përkrahje të autorit të krimit, pasi ka fshirë kamerat e sigurisë në vende ku Agasi ka frekuentuar gjatë arratisë.

Në arrest shtëpie u la ish drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni, e cila dyshohet se ka ndihmuar Ergys Agasin me informacione sekrete teksa ndodhej në arrati.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Vlora Hyseni është nën hetim dhe dyshohet se ka kryer dy vepra penale, përkrahje të autorit të krimit dhe zbulim të akteve sekrete, lidhur me aferën e AKSHI, ku Ergys Agasi dyshohet se kishte krijuar një grup kriminal që vepronte brenda këtij institucioni. Sipas prokurorëve, janë zbuluar komunikimeve mes saj dhe Agasit edhe gjatë kohës që ishte në arrati.

Gazeta Sot