Takimi për negociatat, Macron i shqetësuar për azilantët, Rama: Shqipërisë t’i njihen meritat

Pak kohë më parë Macron ishte takuar në Paris edhe me ministrin Fatmir Xhafaj, i cili ishte shprehur se kishte marrë fjalë tejet inkurajuese për Shqipërinë.

Kryeministri Edi Rama është pritur në Pallatin Elysee në Paris nga Presidenti Francës, Emanuel Macron me të cilin ka pasur një takim kokë më kokë. Takimi ka zgjatur më shumë se 1 orë e 30 minuta dhe vjen pak javë përpara se Franca të vendosë nëse në 28 qershor do të votojë pro apo kundër hapjes së negociatave për Shqipërinë.

Franca është një ndër vendet skeptike së bashku me Holandën dhe Gjermaninë që ende nuk ka një vendim për vendin tonë, ndërsa shqetësimi kryesor i tyre ka qenë niveli i azil kërkuesve. Këtë shqetësim Macron mësohet se ja ka përcjellë edhe kryeministrit Rama.

Por sipas burimeve brenda ekipit shqiptar që shoqëronte kryeministrin, Rama mësohet të ketë kërkuar që Shqipërisë t’i njihet merita e reformave të kryera dhe ka garantuar vijimin e tyre përgjatë bisedimeve për anëtarësim.

Mësohet se presidenti francez ka kërkuar kohë dhe nuk ka dhënë një vendim përfundimtar, por ka vlerësuar reformën në drejtësi dhe rolin e Shqipërisë në rajon.  Më herët Macron është shprehur se BE duhet të reformohet brenda vetes përpara se të zgjerohet, ndërsa kryeministri Rama ka thënë se reforma e brendshme e Unionit duhet të vazhdojë paralelisht me zgjerimin.