Studimi tregon se thatësirat ndryshojnë përhapjen e sëmundjeve infektive

20 Gusht 2026
Nga Perëndimi amerikan deri në Europë, thatësirat po thajnë lumenjtë, po nxisin zjarre shkatërruese dhe po ndryshojnë ekosistemet. Por ato po ndikojnë edhe në mënyrën se si përhapen sëmundjet infektive, duke shkaktuar rritje të rasteve të sëmundjeve si kolera dhe virusi i Nilit Perëndimor.
Një studim i publikuar në revistën Trends in Ecology & Evolution tregon se kushtet më të thata mund t’i bëjnë njerëzit dhe kafshët e egra më të prekshme ndaj disa sëmundjeve, edhe pse shumë parazitë dhe organizma që transmetojnë sëmundje varen nga uji për të mbijetuar.
Studiuesit analizuan rreth 100 studime të mëparshme për të kuptuar se si thatësirat ndikojnë në përhapjen e sëmundjeve. Sipas tyre, ndryshimet klimatike nuk po e bëjnë Tokën thjesht më të ngrohtë ose më të thatë, por po i bëjnë thatësirat më të paparashikueshme.
Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, gjatë dekadave të fundit më shumë se 77% e tokës së planetit ka përjetuar kushte më të thata. Në SHBA-në perëndimore, një nga thatësirat më të rënda të 1200 viteve të fundit ka ulur ndjeshëm nivelet e rezervuarëve, ndërsa temperaturat në rritje po i bëjnë thatësirat më të shpeshta dhe më intensive.
Kur më pak ujë sjell më shumë sëmundje
Edhe pse shumë sëmundje përhapen përmes ujit ose nga mushkonjat, të cilat kanë nevojë për ujë për t’u shumuar, thatësira nuk i zhduk domosdoshmërisht ato.
Për shembull, studimet në Florida kanë treguar se thatësirat periodike kanë rritur përhapjen e virusit të encefalitit të Sent-Luisit, i cili transmetohet te njerëzit nga mushkonjat e infektuara.
Studiuesi Pieter Johnson e vuri re këtë dukuri ndërsa studionte parazitët ujorë në Kaliforni. Gjatë thatësirës së rëndë të vitit 2014, pellgjet u tkurrën dhe amfibët u detyruan të grumbulloheshin në ato pak burime uji që kishin mbetur. Kjo çoi në infeksione më të rënda dhe në rritje të shkallës së infektimit te bretkosat.
Si ndryshon thatësira përhapjen e sëmundjeve
Kur lumenjtë dhe pellgjet thahen, kafshët grumbullohen rreth burimeve të mbetura të ujit. Këto vende mund të kthehen në vatra të përhapjes së parazitëve.
Thatësira mund të favorizojë gjithashtu parazitët dhe bartësit e sëmundjeve që janë përshtatur me kushtet e vështira. Në Amerikën e Veriut, sëmundje të transmetuara nga mushkonjat, si virusi i Nilit Perëndimor dhe encefaliti i Sent-Luisit, janë bërë më të përhapura pjesërisht sepse nivelet e ulëta të ujit pakësojnë organizmat ujorë që ushqehen me larvat e mushkonjave.
Edhe ethet e luginës, një sëmundje kërpudhore, përhapen përmes pluhurit të kontaminuar, i cili është më i bollshëm gjatë periudhave të thata.
Megjithatë, jo çdo patogjen përfiton nga thatësira. Kërpudha chytrid, një patogjen vdekjeprurës që ka kontribuar në rënien globale të popullatave të amfibëve, përhapet më dobët në kushte të thata.
Studiuesit presin që në një botë gjithnjë e më të thatë të ndryshojë edhe lloji i parazitëve dhe sëmundjeve që mbizotërojnë. Disa infeksione mund të zhduken në zona të caktuara, ndërsa në kushte të tjera përhapja e tyre mund të bëhet aq intensive sa të kompensojë humbjen e infeksioneve diku tjetër. /Phys – Syri.net
