20 Gusht 2026

Një nga skandalet më të mëdha financiare dhe politike ka shpërthyer publikisht lidhur me menaxhimin e fondeve të mbrojtjes dhe prokurimet për Forcat e Armatosura, Policinë dhe Emergjencat Civile. Në qendër të kësaj afere është prezantimi ceremonial nga Kryeministri Edi Rama i 40 mjeteve të para taktike, të cilat u trumbetuan me madheshti si arritje e industrisë vendase “Made in Albania” me standarde të NATO-s, të realizuara nga kompania “Timak Defence” me themeluese Arjeta Pucën

Mirëpo, prapaskena e këtij spektakli propagandistik zbulon një të vërtetë të plotë teknike dhe financiare. Mjetet e reklamuara si prodhim shqiptar janë në të vërtetë automjete japoneze Toyota Land Cruiser 70 Series (veçanërisht modeli Land Cruiser 76 apo HZJ76 / GRJ76 / GDJ76 në konfigurim taktik 5-dyresh). Këto automjete importohen nga Japonia dhe u nënshtrohen vetëm disa modifikimeve sipërfaqësore vizuale dhe pajisjeve taktike, si:

• Vendosja e snorkel-it për kalimin e ujërave të thella dhe mbrojtjen e motorit;
• Vendosja e rrjetave mbrojtëse metalike në xhama dhe trareve të çatisë (roof rack);
• Vendosja e parakolpëve me tullumba (winch), mbrojtëseve të dritave dhe veshja me ngjyra kamuflazhi ushtarak.

Në tregun ndërkombëtar, një Toyota Land Cruiser 76 e re kushton nga $45,000 deri në $65,000 (€40,000 – €60,000), ndërsa e përdorur sillet nga €20,000 deri në €40,000. Edhe me të gjitha modifikimet ushtarake, çmimi maksimal i një versioni të tillë arrin nga $70,000 deri në $120,000. Klasifikimi i rremë i këtyre mjeteve si “prodhim kombëtar” ka shërbyer si pretekst për të anashkaluar tenderat e hapur publikë, për të shmangur garën dhe për të fryrë faturat në mënyrë marramendëse në dëm të buxhetit të shtetit.

Prapaskena e “Timak Defence”, shitja e aksioneve për 490 euro dhe krahasimi me kredinë amerikane
Skema financiare prapa këtij projekti u ndërtua përmes lëvizjeve të dyshimta pronësore. Në qershor të vitit 2025, Arjeta Puca i shiti 49% të aksioneve të shoqërisë “Timak” te biznesmeni izraelit me nënshtetësi shqiptare, Ron Yeffet, për çmimin qesharak prej vetëm 490 eurosh.

Më pas, më 4 gusht 2025, shoqëria shtetërore e mbrojtjes “KAYO” (e drejtuar nga Ardi Veliu) themeloi shoqërinë e përbashkët “Timak Defence” (e zotëruar 80% nga Timak dhe 20% nga KAYO). Kësaj kompanie i u fal edhe godina e ish-televizionit “News 24” në Shkozë dhe menjëherë nisën të lidhen kontrata sekrete pa garë transparente prokurimi:
• 6.1 milionë euro për sistemin anti-dron C-UAS;
• 4.4 milionë euro për automjete taktike.

Sipas të dhënave të Thesarit të Shtetit, vetëm transaksioni i fundit ishte prej 331.1 milionë lekësh (rreth 3.6 milionë euro) për Repartin Ushtarak 4001. Në total, përgjatë 10 muajve të fundit, buxheti i shtetit i ka kaluar kompanisë “Timak Defence” mbi 31 milionë euro, çka përbën një mesatare prej rreth 3.1 milionë eurosh në muaj. Kjo shifër ka nxitur krahasime tejet komprometuese me kredinë ushtarake prej 302 milionë dollarësh të lidhur nga qeveria shqiptare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kredia amerikane, e shtrirë në 12 vjet (144 muaj), parashikon një këst mesatar prej rreth 2.1 milionë dollarësh në muaj. Kjo do të thotë se pagesat mesatare mujore që i kalojnë kompanisë “Timak Defence” janë rreth 1.2 milionë euro më të larta se vetë transhi mesatar mujor i kredisë ushtarake amerikane, duke ngritur shqetësime serioze dhe kërkesa nga opozita për hetim të menjëhershëm nga organet e drejtësisë si Prokuroria e Posaçme (SPAK).

Pra në këtë mënyrë, financimi gjigand prej 302 milionë dollarësh i mundësuar nga SHBA-ja rrezikon të kthehet në “oazin” e përfitimeve për klientët e qeverisë. Përmes monopolit të krijuar me ndërmarrjen shtetërore KAYO, Edi Rama po siguron që çdo dollar i destinuar për mbrojtjen kombëtare të kanalizohet drejtpërdrejt te kompania e privatizuar de-facto. Në vend të modernizimit real ushtarak, paratë e taksapaguesve dhe kredia e huaj po përdoren për të pasuruar biznesmenin Ron Yeffet me kontrata sekrete.

E gjithë kjo faqe e zezë financiare fshihet pas fasadës propagandistike të mjeteve Toyota të importuara nga Japonia. Këto automjete thjesht ri-bojatisen dhe kamuflohen nga Arjeta Puca për t’u shprazur më pas si prodhim sekret vendës. Thënë troç, një skemë e tillë mashtrimi jo vetëm tregon dështimin me “Made in Albania”, por e kthen financimin ushtarak amerikan në mega-vjedhjen më të madhe financiare të dekadës.

Nga: Gayeta Sot