Studentja: – Sot jemi opozita e munguar dhe pozita që duhet. –

13/01/2019 –

Një studente e Fakultetit Ekonomikë lëshoi një deklaratë për mediat në emër të studentëve të këtij fakulteti, duke kërkuar vazhdimin e rezistencës. Ajo tha se pavarësisht përbaltjes nga ana e kryeministrit, protesta është e pastër dhe organizohet nga të gjithë ata që duan një Shqipëri më të mirë.

Një prej studentëve tha për mikrofonin e Ora News se ndodhen si në shtetrrethim ndërsa ushqimin e kanë futur nëpërmjet dritares së banjës.

Studentja: Të nderuar studentë, familjarë, intelektualë dhe palaçot e shoqërisë shqiptare. Një herë të vetme në jetën tuaj mos përbaltni dëshirat tona të mira për këtë vend. Nëse mendoni se jemi partiak, atëherë në djall shkofshi edhe ju me to, pasi nuk kemi pranuar asnjë politikanë dhe nuk do të pranojmë sepse sot jemi vetëm opozita e munguar dhe jemi pozita që duhet. Gjithmonë kemi besuar se arsimi është thelbi drejt lirisë së mendimit dhe një të ardhme më të mirë. Jemi bërë një popull pa shtyllë kurrizore në mendim, pa arsye në arsyetim, me frikën e shprehjes në lirinë e stisur. 

Çfarë ndodhi në dhjetor? Një frymë studentore e nxitur nga zjarri i të ndjerit të papërfaqësuar, të pavlerësuar dhe i papunësuar dhe tani pas një muaji, janari do të na gjente me më dinjitet. Por sot, jemi akoma të papërfaqësuar. 

Jemi këtu sepse mendojmë se kjo shkollë të vetmen gjë që ka është infrastruktura e mendimit idealist. 

Kemi dëgjuar lloj-lloj sulmesh që synojnë përbaltjen e kësaj lëvizje të pastër. Disa nga ne dolën partiakë, disa si pjesë të organizatave të pa organizuara dhe në fund si një grup huliganësh. 

Ju lutem, mjaft na përbaltët sepse dielli i shpresës do të shkëlqejë edhe përmes reve të keqinformimit. Mos harroni, se në histori do të ketë një qoshe të errët për të gjithë ata që nuk bënë asgjë për Shqipërinë. Edhe në qoftë se kemi gabime më mirë të protestojmë dhe të shohim të rinjtë që ikin rrugëve të botës. 

Pamje brenda Fakultetit të Ekonomisë

/Ora News.tv/