Kurbini nën ‘pushtetin’ e hajdutëve, banorët tregojnë pse ndodhin vjedhjet. –

13/01/2019

Fenomeni i vjedhjeve në banesa në qytetin e Kurbinit dhe rrethina është kthyer në frikë për banorët e zonës. Gjatë vitit 2018, por në prag të fundvitit vjedhjet janë shtuar. Banorët raportojnë se vjedhjet janë një shqetësim i përhershëm në këtë qytet. Këta të fundit shprehen për mediat se shkaku kryesor i vjedhjeve është varfëria dhe papunësia, kryesisht tek të rinjtë. Të rinjtë kërkojnë më shumë vende pune nga pushteti lokal që të frenohet ky fenomen.

I pyetur për këtë fenomen, Elton Laska avokat në qytetin e Laçit shprehet se autorët e vjedhjeve që ndalohen nga policia janë kryesisht minorenë. Këta persona sipas Laskës vijnë nga familje të varfra, pasi prindërit e tyre në shumë raste nuk kanë mundësi as të paguajnë avokat.

Ky fenomen mbetet problem si në Kurbin, edhe në zonën e Mirditës dhe Rubikut, ku vjedhjet kohët e fundit janë shtuar frikshëm si shkak i varfërisë në këto zona.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/