Spiropali me mesazh të koduar: – Në Europë shteti nuk është pronë e askujt, dinjiteti vlen më shumë se forca

9 Maji 2026
Elisa Spiropali ka zgjedhur Ditën e Europës për të dërguar të tjera mesazhe në drejtim të partisë së saj.
Edhe pse kritikat e drejtpërdrejta janë ndalur pas replikës ndaj kërcënimit të Ramës me përjashtim, në mesazhin për Ditën e Europës duket sikur Spiropali flet me kode.
Sipas saj, në BE pushteti kufizohet nga ligji dhe dinjiteti vlen më shumë se forca. Gjithashtu, ajo shprehet se në BE shteti nuk është pronë e askujt.
Postimi i plotë
Sot është Dita e Europës. Asaj Europe në të cilën jemi dhe, çuditërisht, duhet të hyjmë. Jo sepse për të tilla ngatërresa ose paradokse e kemi fajin vetë, por sepse i tillë ishte fati ynë historik. Si e tillë, për Shqipërinë dhe shqiptarët, Europa nuk ka qenë kurrë thjesht dhe vetëm një destinacion politik, por shumë më tepër, kryesisht një mënyrë për të dalë nga vetmia historike me të gjitha pasojat e saj.
Europa për ne nuk është një mal me letra, një pirg me dokumente.
Europa për ne është pjesë e një bote ku pushteti kufizohet nga ligji, ku dinjiteti i njeriut vlen më shumë se forca dhe ku shteti nuk është pronë e askujt. Rruga europiane e Shqipërisë nuk është vetëm proces negociatash. Është proces qytetërimi.
Dhe po, kjo rrugë ka qenë e gjatë, shpesh e padrejtë, shpesh zhgënjyese. Por është ende rruga më e rëndësishme dhe e vetme që kemi zgjedhur.
Europa nuk është perfekte, Europa nuk është e rënë nga qielli.
Europa është vendi i lodhjeve milenare për përsosje të pandërprerë, vendi ku, në kërkim të lirisë, shoqëritë përpiqen pareshtur të korrigjojnë veten.
Për ne, kjo është beteja me veten, të cilën së shpejti do ta fitojmë.
Gëzuar Ditën e Europës.
