9 Maji 2026

Programi i  vaksinimit kundër malaries në tre vende afrikane ka ulur me 13% shkallën e vdekshmërisë tek fëmijët e vegjël, sipas një studimi të fundit.

Megjithatë, mbulimi me tre dozat e para të vaksinës përfshiu vetëm 71-83% të fëmijëve të kualifikuar, bëri të ditur Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

“Rezultatet nxorrën në pah nevojën urgjente për të përshpejtuar shpërndarjen e vaksinave kundër malaries në zonat, ku sëmundja vazhdon të jetë një nga shkaqet kryesore të vdekshmërisë tek fëmijët”, thanë autorët e studimit.

Sipas studiuesve, efektiviteti i vaksinimit mund të rritet edhe më tej nëse doza e katërt do të administrohej më shpesh rreth moshës 2-vjeçare.

Të dhënat e publikuara në revistën mjekësore “The Lancet” tregojnë se mbulimi me këtë dozë ishte nën 40%.

Ekipi kërkimor, i udhëhequr nga Victor Mwapasa i Universitetit të Shkencave të Shëndetit Kamuzu në Blantyre (Malawi) dhe Kwaku Poku Asante i Shkollës së Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër, theksoi se incidenca reale e vdekjeve të lidhura me malarien është e vështirë të matet drejtpërdrejt.

Studimi përfshiu 66 zona në Ganë, 46 në Kenia dhe 46 në Malavi, në total 158 zona të veçanta.

Këto zona u ndanë rastësisht në një grup studimi, ku vaksina kundër malaries RTS,S/AS01E u përfshi në programin standard të vaksinimit për fëmijët e vegjël, dhe në një grup kontrolli ku kjo vaksinë nuk u aplikua.