23 Janar 2023

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani thotë se kryeministri Edi Rama do thirret për të dëshmuar në SHBA, në lidhje me skandalin ku është përfshirë ish-zyrtari i FBI, Charles McGonigal.

Në një intervistë për Euronews Albania, Manjani u shpreh se Rama do të dëshmojë, pasi është i dyshuar për një aferë korrupsioni.

Sipas tij, Rama i ka vendosur vendit një damkë të jashtëzakonshme.

“Kushdo që kupton pak nga drejtësia, nuk ka nevojë të jesh ekspert i drejtësisë amerikane. Hetimet quhen të mbyllura, kur gjykata merr vendim. Në gjykatat amerikane nuk ka kurrë mbyllje hetimesh, madje do i jepja një këshillë persopnale Edi Ramës. Duhet ta përdorë lirinë e tij kushtetuese për të mos u shprehur, se bën gabim. Çdo fjalë që thotë bën gabim. Çdo fjalë që thotë mund ta korruptojë edhe më rëndë. Unë e këshilloj si ish-mik që e kam pasur, që të qepë gojën. Sa më tepër t’i japë gojës, aq më keq do ta ketë.

Kaq të bëjë ai, sepse nuk është halli i fatit të tij personal këtu, është halli i fatit të Shqipërisë. Ai ka një mandat përfaqësues, na përfaqëson ne të gjithëve. Na ka vënë një damkë të jashtëzakonshme. Të gjithë e dyshonin që shqiptarët janë të korruptuar, tani na del kryeministri i Shqipërisë në aferë korrupsioni, i dyshuar. Minimalisht do shkojë atje, do shfaqet si dëshmitar, patjetër, do kërkohet dëshmia e tij në një mënyrë apo në një tjetër”, theksoi ai.

Gazeta Sot