26 Janar 2023

Nga Besmira Pelushaj

Teknologjia e re iu ka mundësuar studiuesve të vërtetojnë se një pikturë misterioze, që mendohej se i përkiste më parë një artisti të panjohur, është në fakt një kryevepër e mjeshtrit të rilindjes Raphael-it.

Studiuesit kanë zbuluar nëpërmjet teknologjisë se një pikturë që mendohej se I përkiste më parë një artisti të panjohur, ka shumë të ngjarë të jetë një kryevepër e Raphael-it.

Një ekip nga Universiteti i Nottingham dhe Universiteti i Bradford përdori teknologjinë për të ekzaminuar pikturën, e njohur si de Brécy Tondo. Ata gjetën se fytyrat ishin identike me ato në një altar të Raphaelit, një ngjashmëri që mbi 75% konsiderohet identike.

“Krahasimi i drejtpërdrejtë i fytyrës del 97% – një probabilitet shumë i lartë statistikor që veprat e artit janë nga krijues identikë”, tha Dr Christopher Brooke, bashkëautor i punimit kërkimor rreth zbulimit.

“Konfirmim i mëtejshëm vjen nga analiza e pigmenteve të përdorura, të cilat janë tipike të praktikës së Rilindjes dhe për këtë arsye nuk ka gjasa të jenë një kopje e mëvonshme”.

Sistemi i njohjes së fytyrës nga inteligjenca artificiale u zhvillua nga Hassan Ugail, profesor i informatikës vizuale në Universitetin e Bradfordit.

“Të shikosh fytyrat me syrin e njeriut tregon një ngjashmëri të dukshme, por kompjuteri mund të shohë shumë më thellë se sa ne, në mijëra dimensione, në nivelin e pikselit.”

Hulumtimi bazohet në punën e mëparshme të Howell Edwards, nga Universiteti i Bradfordit, i cili më parë kishte kryer një ekzaminim të gjerë të veprës që përkthehet si “pikturë rrethore”, pjesë e një koleksioni arti që përfshin shekullin e 16-të deri në shekullin e 19-të.