Si ishte Hallouini para 100 vjetësh
9 Tetor 2026
FESTAT E HALLOUINIT DHE “KARAMELE OSE RRENG”
Sipas Winchester Mystery House, kompania Beistle prezantoi në vitin 1921 një linjë dekorimesh me tematikë Hallouini. Njerëzit i zbukuronin shtëpitë me mace, skelete dhe shtriga prej letre për të shënuar fillimin e sezonit, njësoj siç bëjmë edhe sot.
Të ftuarit në festa kërcenin dhe këndonin nën ritmet e këngëve si “Undertaker’s Blues” nga Helen Gross& the Kansas City Five, “Heebie Jeebies” nga Louis Armstrong dhe “The Nightmare” nga The New Orleans Owls.
Festimet përfshinin lojëra si hedhja e unazave mbi kunguj dhe kapja e mollëve me gojë nga një legen me ujë. Në vitet 1920 thuhej se, nëse një burrë kapte një mollë të shënuar me emrin e një gruaje, të dy ishin të destinuar të bëheshin çift. Kjo ishte një nga lojërat e para për të gjetur partnerin. Edhe pse në Shtetet e Bashkuara ishte në fuqi Prohibicioni, njerëzit vazhdonin të organizonin festa Hallouini dhe të merrnin pjesë në parada.
Hallouini i vitit 1926 ishte në të vërtetë më shumë “rreng” sesa “karamele”, pasi shakatë dhe prapësitë ishin pjesë e rëndësishme e festës. Fëmijë dhe adoleshentë të zhurmshëm vidhnin sende, godisnin njerëzit me thasë me miell dhe vendosnin objekte të çuditshme mbi çatitë e fqinjëve, ndërsa mbanin maska Hallouini.
Vandalizmi u bë aq i madh, sa disa bashki menduan madje të anulonin fare aktivitetet e Hallouinit.
Shprehja “karamele ose rrengdaton rreth një shekull më parë. Fëmijët shkonin te dyert e shtëpive të veshur me kostume dhe bënin një “rreng”, këndonin një këngë, recitonin një poezi ose tregonin një shaka, për të fituar një “karamele”, pra, një dhuratë.
Ndryshe nga sot, fëmijët nuk prisnin thjesht të merrnin karamele. Ata duhej të tregonin pak kreativitet për të mbushur çantat e tyre.
KOSTUMET E HALLOUINIT
Sot, fëmijët dhe të rriturit vishen si personazhet e tyre të preferuara nga filmat dhe serialet televizive, si yjet më të njohur të muzikës pop ose si personazhe të lojërave elektronike. Herë pas here mund të shohësh edhe dikë me një kostum të frymëzuar nga Hallouini i së kaluarës, si një personazh i famshëm i viteve ’50, një kloun, një shtrigë apo edhe një mumie të mbështjellë me letër higjienike!
100 vjet më parë, kostumet e Hallouinit ishin shumë më të thjeshta dhe zakonisht përgatiteshin në shtëpi. Gratë qepnin kostume klounësh për fëmijët e tyre, ndërsa pjesëmarrësit në festa visheshin si figura klasike të sezonit të frikshëm, si shtriga dhe kunguj, dhe vendosnin maska të frikshme prej letre.

