Shiu zbulon statujën e lashtë

Nga OraNews

Një statujë femër mermeri me përmasa reale u zbulua aksidentalisht në zonën e gërmimit të Epidavros së Lashtë në fillim të dhjetorit, shumë kohë pasi sezoni zyrtar i gërmimeve kishte përfunduar, tha më 29 dhjetor  Ministria Greke e Kulturës.

Statuja, të cilën arkeologët e datojnë paraprakisht nga Periudha Perandorake Romake, u gjet më 16 dhjetor pasi shiu i madh goditi zonën duke zbuluar një pjesë të vogël të pjesës së pasme të statujës, tha ministria në një njoftim për shtyp.

Figura kishte veshur një tunikë dhe një mantel që fiksohej në shpatullën dhe krahun e majtë, nga ku varej me palosje të pasura. I mungonin krahët dhe koka, të cilat me siguri u thyen gjatë rënies së tij, tha ministria.

Pozicioni i krahut të djathtë dhe sipërfaqet që mbajnë ligamentet nga pjesët shtesë, tregojnë se figura bënte një gjest tipik për gratë e martuara në antikitet dhe që shpesh përdorej për të përshkruar Hygieia, perëndeshën e shëndetit dhe vajzën e Asklepit.

Statuja u transferua në një magazinë për ruajtje, pastrim dhe mirëmbajtje.

Vendi ku u zbulua objekti është gërmuar sistematikisht që nga viti 2015 nga një ekip kërkimor i Universitetit të Athinës me mbështetjen financiare të Fondacionit të Përfitimeve Publike John S. Latsis.