24 Mars 2024

Zëvendëspresidentja e SHBA-së,Kamala Harris dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë thanë se nuk ka prova se Ukraina qëndron pas sulmit në një sallë koncertesh pranë Moskës.

“Nuk ka asnjë provë – dhe në fakt, ajo që ne dimë se është rasti është se ISIS-K është në të vërtetë, sipas të gjitha llogarive, përgjegjës për atë që ndodhi”, tha Harris në një intervistë. “Ajo që ka ndodhur është një akt terrorizmi dhe numri i njerëzve që janë vrarë është padyshim një tragjedi dhe ne të gjithë duhet të dërgojmë ngushëllimet tona për ato familje.”

Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare Adrienne Watson tha:

“Në fillim të marsit, qeveria amerikane ndau informacione me Rusinë për një sulm të planifikuar terrorist në Moskë.

Ne lëshuam gjithashtu një këshillë publike për amerikanët në Rusi më 7 mars. ISIS mban përgjegjësinë e vetme për këtë sulm. Nuk kishte asnjë përfshirje ukrainase.”

Sipas të dhënave zyrtare në sulmin terrorist në Crocus City Hall Krasnogorsk, pranë Moskës humbën jetën 143 persona.  Presidenti rus, Vladimir Putin në një fjalim televiziv e cilësoi sulmin “një akt barbar”. Ai tha, se përgjegjësit do të dalin para drejtësisë dhe se do të ndëshkohen. Sipas Putin të gjithë atentatorët janë kapur, pasi ata po përpiqeshin të largoheshin drejt Ukrainës.

Gazeta Sot