23 Mars 2024

Në muajin mars të vitit 2022 Këshilli i Ministrave shpalli vendimin për dhënien në përdorim në një zone bregdetare në Dhërmi, për një periudhë 30 vjeçare për kompanisë ‘AGTCC Hotel Management”.

Pronare e kompanisë rezultonte shtetasja amerikane Tawni Lin Grzych-Sutton (Tauni Lin Grzyç Saton).

Por një investigim mediatik zbuloi fillimisht se Sutton, ishte në fakt partnerja e Andi Xhaçkës, ky i fundit, vëllai i ministres së Jashtme atëkohë, Olta Xhaçka.

Bashkëshortët Artan Gaçi dhe Olta Xhaçka u akuzuan se po përpiqeshin të fshihnin konfliktin e interesit, në këtë rast të vetë ministres së Jashtme, Xhaçka.

Ky dyshim u konfirmua edhe nga të dhënat e publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Rezultoi se kompania e 31 vjeçares Sutton kishte fituar të drejtën e përdorimit të tokës në bregdet nëpërmjet një marrëveshje me kompaninë ‘AG.TCC’ Sh.p.k në pronësi 100 % të Artan Gaçit, ish-deputet socialist dhe njëkohësisht bashkëshort i ministres Xhaçka.

Kompania e Gaçit kishte marrë statusin ‘investitor strategjik’ për ndërtimin e një hoteli me pesë yje dhe me kapacitet prej 106 suitash në Dhërmi, të quajtur “Dreamades Luxury Suites”.

Në vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike thuhet se vlera e investimit të Gaçit do të jetë mbi 5.5 milionë euro dhe se projekti parashikohet të zhvillohet në një sipërfaqe prej 10 592 m2, me vendndodhje në fshatin Gjilek, Himarë.

Pikërisht këtu u hap telashi tjetër me drejtësinë që përfshiu kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro.

Gjysma e tokës në fjalë, sipas dosjes hetimore, rezulton me dokumentacion të falsifikuar dhe për këtë akuzohet se ka ndihmuar kryebashkiaku Goro.

Kjo histori nisi kur në dyert e Prokurorisë së Vlorës trokiti shtetasi Mihallaq Bonjaku, i cili pretendonte se i ishte vjedhur prona.

Bëhej fjalë për 5512 m2 të tokës 10 592 m2 mbi të cilën Artan Gaçi, bashkëshorti i ish-ministres Xhaçka, ishte shpallur investitor strategjik dhe kishte nisur ndërtimin e resortit luksoz.

Por Gaçe tha se këtë tokë ia kishte blerë shtetasit Stavri Mëhilli dhe se nuk e njihte shtetasin Mihallaq Bonjaku.

Prokuroria e Vlorës nuk e thelloi këtë denoncim që përfshinte gjysmën e tokës ku po bëhej investimi.

Por arrestimi i Fredi Belerit solli zhvillime të reja.

Ai kallëzoi në SPAK nga brenda qelisë, biznesmenin Artan Gaçi, bashkëshorten e tij Olta Xhacka dhe kryetarin në detyrë të Bashkisë së Himarës Jorgo Goro, këtë të fundit për ‘shpërdorim të detyrës’ dhe ‘falsifikim të dokumentave”.

Beleri pretendoi se shtetasi Foto Pavlo Mëhilli, kishte në fshatin Gjilek në Dhërmi, vetëm një sipërfaqe ullishte prej 1200 m 2, që nuk përkonte me sipërfaqen e tokës prej 5512 m2 që trashëgimtari i tij Stavri Mëhilli, i kishte shitur biznesmenit Artan Gaçi.

SPAK nisi dyshimet kur konstatoi se numri kadastral i kësaj prone nuk i përkiste fare Himarës.

Beleri pretendoi gjithashtu se Stavri Mëhilli nuk mundej i vetëm të falsifikonte dokumentat e kësaj prone dhe sipas tij, Jorgo Goro, bëri kërkesë të vecantë për regjistrimin e pronës në Hipotekë, duke ndihmuar bashkë me Gaçin dhe zyrtarë të Hipotekës të dilte për vetëm 5 ditë pas aplikimit një certifikatë pronësie që mundësoi shitjen e kësaj prone nga Mëhilli te Gaçi.

Tashmë Goro akuzohet se ndihmoi pajisjen me certifikatë pronësie të një prone që kishte një Akt të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) të falsifikuar.

Akuzat dhe pretendimet ndaj Goros do kalojnë për gjykim në Gjykatën e Posaçme ndërsa mbetet për t’u parë, nëse prangat e SPAK do shtrihen edhe te çifti Gaçe-Xhaçka apo te zyrtarë të Hipotekës.

Ndërkohë punimet në rezortin luksoz të çiftit Gaçe-Xhaçka janë ndaluar.

Gazeta Dita