29 Maji 2023

Dita e hënë ka nisur me tensione në veri të Kosovës që në orët e para të mëngjesit.

Policia ka hedhur gaz lotsjellës te dera e komunës.

Ka nisur grumbullimi i qytetarëve serbë, ndërsa policia e Kosovës dhe KFOR janë  në gatishmëri.

Në Zubin Potok, aty ku sot do të nisë punën kryetari kosovar, Izmir Zeqiri kanë nisur të mblidhen protestuesit serbë për të kundërshtuar udhëheqjen e tij në këtë komunë

Nga sot, po ashtu  pritet që nxënësit serbë të bojkotojnë shkollën, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç mbrëmjen e djeshme tha se i druhet një konflikti të madh.

Shkollat ​​në veri të Kosovës janë mbyllur për shkak të situatës së re të sigurisë dhe prezencës së madhe të policisë së Kosovës, e cila të premten pushtoi me forcë objektet e komunës së Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviçit.

Policia ka dalë me një njoftim për shtyp, ku bën me dije se protestuesit në forma të organizuara janë tubuar para objekteve të komunave të veriut; në Leposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan. Poashtu policia njofton se, para objektit të komunës së Zveçanit, protestuesit kanë tentuar të kalojnë me dhunë kordonët e sigurisë për t’u futur me dhunë në objektin e komunës.

“Policia është detyruar të përdorë mjetet e ligjshme si sprej-in, për të ndaluar protestuesit dhe për të vënë situatën nën kontrollë. Angazhimet policore në zbatimin e rendit dhe sigurisë publike, ofrimi sigurisë ndaj qytetarëve, liria e lëvizjes së lirë si dhe ndërmarrja e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në veri të vendit, do të vazhdojnë të mbesin ndër objektivat dhe detyrat primare të Policisë së Kosovës. Policia e Kosovës është duke menaxhuar situatën, njëkohësisht fton qytetarët që të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar përgjatë thirrjeve të protestave, të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato”, thuhet në njoftim.

Gazeta Dita