Jaho Brahaj

Gazeta Sot, me, 29 MAJ 2023

Kushtet e ruajtjes së objekteve në disa muze janë shqetësuese, por problem është se kemi dhe mungesë të specialistëve muzeolog. Studiuesi Jaho Brahaj shprehet me kritika për Ministrinë e Kulturës, që sipas tij e ka për detyrë ndihmën metodike për muzetë lokal. Në intervistën për gazetën “SOT” studiuesi Jaho Brahaj thotë se me atë që kërkohet dhe duke parë kërkesat e kohës jemi jo bashkëkohor në konceptimin dhe ruajtjen e objekteve muzeale. Sipas tij një muze duhet të plotësojë disa kushte përndryshe atë e shpërbën koha dhe kjo është gangrenë për muzetë tona. Studiuesi Brahaj thotë se edhe muzetë kombëtar, që varen nga Ministria e Kulturës kanë probleme me kushtet e ruajtjes së objekteve, por shqetësuese është dhe fondi i blerjeve muzeale, që sipas tij në këto 30 vite është i papërfillshëm.

-Ju herë pas here jeni shprehur mbi problemet që janë sot në disa muze në vendin tonë. Këtë muaj më 18 maj u shënua dhe Dita Ndërkombëtare e Muzeve. Për ju sa kanë rëndësi muzetë lokalë dhe kombëtarë me pasuritë e tyre?

Në një analizë të thjeshtë arrin në përfundimin se sot muzetë e vendit janë më shumë trashëgimi e para viteve ‘90. Dita Ndërkombëtare e Muzeumeve edhe Shqipërinë e gjeti me disa arritje nga muzetë që u trashëguan dhe me disa vlerësime e arritje në vitet e tranzicionit. Por me atë që kërkohet dhe duke parë kërkesat e kohës jemi jo bashkëkohor në konceptimin dhe nderimin e ruajtjen e objekteve muzeale.

-Ju thoni se duke parë kërkesat e kohës jemi jo bashkëkohor në konceptimin dhe ruajtjen e objekteve muzeale. Nga se vjen kjo?

Kjo se pari vjen, sepse nga institucionet qendrore, si Ministria e Kulturës dhe po ashtu edhe nga pushteti lokal nuk kemi vëmendje. Me shumë bëhet punë për të justifikuar demek se po punojmë në këtë drejtim dhe vetëm me fushata propagandistike. Shqipëria ka disa muze kombëtare dhe lokal. Po cila është gjendja e tyre? Së pari nuk kemi kushte ruajtje, kjo rrezikon vetë objektet muzeale dhe së dyti mungojnë specialistët muzeolog. Edhe me ato muze që kemi trashëguar ka shume probleme si në konceptim (ose rikonceptim të platformave ndonjëherë) si p.sh në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë. Ishte Muze i Artit Mesjetar dhe është kthyer në periudhën e ndikimit të egër të shtetit grek në muze vetëm të artit mesjetar kishtar. Meqenëse jemi këtu, edhe pas rindërtimit të godinës u kthye nga një muze në ekspozitë pa kritere muzeale, me tendencën që çdo objekt të ekspozohet ngjeshur, pa frymëmarrje duke mos harmonizuar raportin objekte në ekspozicion dhe fondi me artefakte-vlera që riekspozohen në vijimësi për të ruajtur interesin e vazhdueshëm të vizitorëve. U eliminuan tërësisht objektet e periudhës mesjetare shqiptare që nuk kishin lidhje me artin kishtar. Muzetë janë tempuj që pasurohen me format e blerjeve dhe të dhuratave. Fondi i blerjeve muzeale në këto 30 vite është i papërfillshëm dhe po ta përmendim në shifra është një turpërim për institucionet dhe për këdo tjetër. Një muze duhet të plotësojë disa kushte përndryshe atë e shpërbën koha, dhe kjo është gangrenë për muzetë tona. Edhe muzetë kombëtar që varen nga Ministria e Kulturës nuk kanë as elementët më të domosdoshëm të ruajtjes, që është kriteri elementar dhe themelor i një muzeu. Ministria e Kulturës e ka për detyrë ndihmën metodike për muzetë e lokal, që janë në varësi të pushtetit lokal (bashkive). Por kjo ministri as që mendon për kualifikim, bashkërendim dhe studim për muzetë lokal, ashtu që kur nuk i intereson për propagandë as nuk mirëmban dhe as nuk kujtohet për objektet e shpallura monumente kulture, por vazhdimisht jua heq këtë status për interesa nga më të ndryshmet, pa studime e diskutime paraprake me specialistët e trashëgimisë. Jo çdo gjë është vetëm gri e zi. Kemi muze me vlera dhe që punohet si p.sh. Muzeu Onufri e ai Etnografik Berat, Muzeu i Bashkisë Shkodër.

-Çfarë mund të na thoni mbi projektin për muzeun Etnografik të Tiranës. Ju si e shikoni?

Kemi publikime dhe angazhime edhe për një Muze Etnografik të Bashkisë Tiranë, por që në fillim me vepra tregohet se kjo është punë e pa studiuar dhe pa kritere të drejta. Për të ngjallur megalomanitë se po bëjmë punë te mëdha shpallet e kërkohen arkitektë nga bota.  Banesën qytetare shqiptare e kanë studiuar dhe kemi dhe monografi shkencore nga studiuesit tonë. Për fat kemi dhe arkitektë studiues për këtë fushë, e unë po përmend p.sh. Prof. Pirro Thomën. Pra kërkojmë të gatuajmë një gjellë tradicionale shqiptare, por guzhinierin domosdo do ta marrim nga jashtë, dhe kështu i rrisim vetëm propagandën por në dëm të vlerësimit. Kjo mendësi ka pasur edhe dështime me importim arkitektësh si. p.sh. me muzeun Marubi, ku për vizitorin ma shumë shpaloset si një ekspozitë fotografike se sa një muze të dinastisë së fotografëve të Shkodrës. Këto janë rrjedhojë që nuk kemi muzeologë ose dhe ata qe janë nuk pyeten dhe përfillen, se ata që nuk e njohin këtë fushë duan të vetëlavdërohen se po angazhojnë të huajt, që në fakt ju duhet punë e mundshme për të njohur historinë dhe pasurinë trashëgimi të kombit tonë. Kemi ende muze në shekullin XXI që ekzistojnë vetëm si numër dhe kanë tabelat dhe shfaqen aty këtu në Facebook si të tillë, por që nuk kanë as objekte të mirëfillta muzeale dhe nuk i viziton kush.

-Ju më parë jeni shprehur dhe për GKA, sot çfarë është shqetësuese për ju në punën që po bëhet?

Problem shqetësues është dhe Galeria Kombëtare e Artit në Tiranë dhe po në këtë rrugë po futet Muzeu Historik Kombëtar. Galeria ka vite në rikonstruksion dhe ka disa vite që shtyhet në kohë kjo ndërmarrje. Galeria ka statusin si Muze i Artit Pamor Shqiptar, por ky status nuk ka as një studim dhe as një platformë. Kështu po veprohet edhe me Muzeun Historik Kombëtar, thuhet do rikonstruktohet dhe do përmirësohet ekspozimi, por as për njërën dhe as për tjetrën nuk ka asnjë konceptim konkret, kush do i ndërmarr këto nisma, mjafton që edhe ky nga ministria u vendos që të administrohet me një të deleguar pa emërim. Kemi dhe ligjin për trashëgiminë në mbrojtje të burokracisë dhe dëmit që i vjen pasurisë sonë trashëgimi.

-Pse sipas jush ligji për trashëgiminë kulturore dhe muzetë është në dëm të trashëgimisë sonë?

Është një ligj që nuk është as dele as dash, as mish as peshk. Për çdo specialist të trashëgimisë që ndërmerr një lexim të këtij ligji voluminoz, pasi kalon kapitujt e parë ngatërrohet, se vetë ligji hidhet degë më degë dhe nuk ka as një fillim dhe as mbarim. Kur u miratua u përcaktua që kërkoheshin mbi 96 VKM që të funksiononte, deri më sot nuk është miratuar as një Vendim i Këshillit të Ministrave për këtë ligj, që është një labirint që nuk dinë ta zgjidhin as ato që e hartuan, le pastaj që ato që e miratuan në Kuvend nuk dinin se për çfarë flitej. Kjo ka lënë në pauzë edhe disa nisma që ishin ndërmarrë dhe po viheshin në udhë për muzetë dhe për pasurinë trashëgimi kulturore materiale dhe shpirtërore. Ja, po përmendim dhe një fakt. Në Muzeun e Lushnjës ka 34 vite që ka një material të pasur arkeologjik të bllokuar në një dhomë të veçantë. Është fondi i ish muzeut të lavdërueshëm të Divjakës, muze i cili u ngrit para viteve ‘90-të dhe nuk hapet dhe as nuk inventarizohet që kur u muar pasuria e tij në ruajtje.  Në përvjetorin e UNESCO-s para pak vitesh UNESCO bëri një thirrje, që gjithë vendet anëtare të dhuronin nga një objekt përfaqësues të trashëgimisë për ekspozim të përhershëm pranë selisë së saj. Me vendim të Këshillit të Ministrave pa një studim dhe vlerësim se kush mundet të ishte objekt përfaqësues i joni, ju dhurua ikona “Shpërfytërimi”. Se kështu mendonin administratorët (nuk u pyetën specialistet) se ikonat janë përfaqësuese të trashëgimisë tonë. Për këtë u shkrua në media e faqe zyrtare, pati edhe nga ata që e quajtën humbje të trashëgimisë. Nejse. Fakti- pas kremtimit të përvjetorit, UNESCO e ktheu ikonën, pa motivacion, por duke ju treguar që nuk ishte përfaqësuese e pasurisë dhe historisë tonë.

-Ju shpreheni për probleme të ndryshme, por pse sipas jush mungon vizioni dhe koncepti i punës dhe veprimtarisë se institucionit muze?

Përshembull ja u mbyll Galeria Kombëtare e Arteve. Pse nuk organizohen ekspozita me këtë pasuri në rrethe? P.sh. në galerinë e Shkodrës mundet dhe duhej të ekspozoheshin vepra të krijuesve shkodranë që janë pasuri e kësaj galerie, po kështu Vlora kishte një bum që u quajt dhe Shkolla e Artit Vlonjat, pse këto vepra të mos i shikonte publiku vlonjat dhe vizitorë të shumtë në sezonin turistik. Sa mirë për Vilën e Pritjes Shtetërore në Vlorë janë marrë (huazuar) rreth 30 vepra nga Galeria e Arteve në Tiranë që elita ti shikojë në Vlorë. Këto ditë disa objekte arkeologjike të Shqipërisë po ekspozohen në SHBA, kjo është ekspozitë ndërkombëtare ku edhe shteti i Kosovës përfaqësohet me objekte kyçe të trashëgimisë së saj. Në mes të Kosovës dhe Shqipërisë organizohen mbledhje të përbashkëta ndërqeveritare, ku bie në sy zbukurimi festiv me motive qilimash e përqafime ministrash e kryeministrash. Është e domosdoshme që të organizohen ekspozita të përbashkëta me artefakte Iliro-Arbërore, se kufijtë i kemi të ndarë administrativisht, por jemi e njëjta etni me pasuri po të njëjtat objekte. Dhe kjo kur të huajt po na i bashkojnë në të njëjtat stenda ekspozimi. Meqenëse jemi tek Kosova, Muzeu i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit është muzeu i mbarë shqiptarëve, edhe në kohën e luftës kundër Revizionistëve Shqipëri Jugosllavi, etj, shteti shqiptar ka dhënë kontribut me eksponante për këtë muze mbarëkombëtar. Jemi në prag të takimeve ndërqeveritare dhe të Përvjetorit të Lidhjes. Domosdo ndoshta do e vizitojnë këtë muze ministrat, por nga ana tjetër po e ndajnë e parcelizojnë trashëgiminë tonë etnike, duke paraqitur Dosjen e Lahutës së Eposit Shqiptar në UNESCO, duke veçuar dhe ndarë Kosovën. Trashëgimia është pasuri etnike dhe nuk imagjinohet ti vihen kufi. Siç u shpreha, në një analizë të thjeshtë arrin në përfundimin se sot muzetë e vendit janë më shumë trashëgimi e para viteve ‘90. Edhe muzetë që kanë numrin më të madh të objekteve muzeale e të vizitorëve janë me objekte dhe artefakte të mbledhura, studiuara dhe dokumentuara në atë periudhë, duke filluar nga Muzeu Marubi, Muzeu Historik Tiranë, muzetë etnografik dhe ai Onufri në Berat, Muzeu i Artit Mesjetar në Korçe, muzetë e Krujës, etj, e kështu me radhë. Ai sistem i para viteve të ‘90-ta punonte për ngritjen e muzeve edhe si forma propagande, por sot në disa muze kemi mbetur me ato platforma dhe përmbajtje. Edhe më keq, faktet na flasin që do kemi bjerrje, p.sh po shkojmë edhe drejt humbjes së muzeumit të Butrintit, etj.