“Mina me sahat” brenda kabinetit, njerëz brenda qeverisë po fundosin Ramën me përgjime, ja si agjencitë amerikane kanë 5 muaj që hetojnë “lavatriçen” e pastrimit të parave të kryeministrit

9 Tetor 2026
Gazetari dhe analisti, Robert Papa ka folur në “Fokus Tv” për zhvillimet politike në Shqipëri dhe për atë që ai e konsideron një përplasje të fortë mes Edi Ramës dhe strukturave amerikane. Në deklaratën e tij, Papa ndalet te SPAK-u, përgjimet, Ron Yeffet dhe pretendimet për pastrimin e parave, ndërsa thotë se njerëz pranë Ramës brenda qeverisë po e luftojnë kryeministrin. Papa e nis analizën duke e vendosur situatën shqiptare në një përplasje më të gjerë gjeostrategjike dhe duke pretenduar se Rama po përpiqet të largohet nga ndikimi amerikan.
“Natyrisht që Shqipëria është kthyer në një arenë të përplasjeve të forcave gjeostrategjike dhe i sëmuri i Surrelit kërkon ta spostojë Shqipërinë nga ndikimi amerikan duke luajtur me interesat kombëtare, duke pasur një lidhje të ngushtë me Vuçiç dhe me Polako-Milokovski, i cili njihet me emrin Netanyahu, kriminel lufte në kërkim nga gjykata ndërkombëtare për atë që ka ndodhur në Gaza. Vuçiç po ikën, Netanyahu ka gjasat që t’i humbasë zgjedhjet në tetor, Trump mbetet në pushtet. Natyrisht që Rama ka synuar që përmes dhëndrit Kushner të blejë heshtjen e zotit Trump. Deri diku ia ka arritur.”
Hetimet
Më pas, Papa thotë se sipas tij zhvillimet rreth SPAK-ut kanë rrëzuar skemat që ai përmendi më herët dhe se hetimet ndaj Ron Yeffet lidhen me struktura amerikane. “Por ajo që i hedh poshtë të gjitha këto skema është pikërisht forca, guximi dhe qasja e SPAK-ut ndaj një çifuti tjetër, Ron Yeffet. Përrallat se me përgjime detektivësh do të arrestohet një person që ka tri shtetësi nuk qëndron. Ata që kanë sadopak njohuri se si funksionon SPAK-u e dinë mirë që listat e arrestimeve, orientimet e arrestimeve dhe dosjet vijnë nga Amerika. Pra as Kushneri, as Ivanka nuk kanë mundur dot të ndalojnë ato qendra pushteti që mbështesin SPAK-un. Edhe pse prokurori i përgjithshëm e drejtori i FBI-së janë njerëzit nga më besnikët e zotit Trump, por në qoftë se do të shikosh se si vepron Trump tek ajo që quhet Art of the Deal, në qoftë se dikush kërkon ta përdorë apo ta tradhtojë, Trump është i pamëshirshëm ndaj tij. Dhe këtë e dinë mirë si prokurori i përgjithshëm, si drejtori i FBI-së, ashtu edhe ata që mbështesin SPAK-un.”
Plani
Duke iu referuar bisedave të tij me avokatë shqiptaro-amerikanë dhe avokatë në SHBA, Papa thotë se sipas tij ekzistojnë dy qasje për çështjen e Ron Yeffet dhe pretendon se Rama po përpiqet ta pastrojë atë. “Tani, nga bisedat e mia me avokatë shqiptaro-amerikanë, por edhe me avokatë atje, ka dy qasje të problemit, që Rama kërkon ta pastrojë Yeffetin. Është loja e Ramës, çka bën edhe ish-zëvendëskryeministri i tij që vazhdon e kërkon azil në Zvicër, të jetë shërbëtor i Ramës sepse paratë bashkë i kanë ndarë dhe agjencitë e huaja e dinë.”
“Lavatriçja” e Ramës
Papa e lidh më pas çështjen e përgjimeve me persona pranë kryeministrit, duke thënë se materialet kanë ardhur nga njerëz brenda qeverisë. “Por problemi është që erdhi një muaj mbrapa atyre përgjimeve shqiptare, sepse njeriu që është afër Ramës i dërgon tek “ish-i dashuri i Ramës” në Zvicër dhe ai i përcjell në Shqipëri. Pra, janë njerëzit e Ramës brenda Partisë Socialiste, brenda qeverisë, që e luftojnë Ramën.” Më tej, Papa flet për praninë e shërbimeve të huaja në Shqipëri dhe pretendon se Ron Yeffet është vënë prej muajsh nën vëzhgimin e agjencive amerikane. “Natyrisht që ambasadat e huaja kanë shefat e stacionit: CIA ka njeriun e vet, shërbimi gjerman që është nga më të përsosurit në Perëndim ka njerëzit e vet, ai i Erdoganit gjithashtu. Dhe ka të paktën pesë muaj që Yeffet ka qenë nën observimin e agjencive amerikane për lidhjet e tij me pastrim parash në Florida, dhe natyrisht ai është ‘lavatriçja’ e Ramës.” Papa thotë se Rama është takuar disa herë me Yeffet në Manhattan dhe ngre pyetjen se kush e ka sjellë atë në kontakt me kryeministrin. “Rama është ulur dhe ka darkuar disa herë në Manhattan në hotel me Yeffetin, ashtu si dhe me Pacollin në shtator, në mos gaboj datat 22.2024. Kush ia çoi Ramës Yeffetin? Ia çoi Grenell, ia çoi Vuçiç, ia çoi Kushner… nuk ka rëndësi.
Tani janë në rrjetat e SPAK-ut, që vepron pikërisht siç vepron FBI këtu.” Papa pretendon se kontrolli i telefonave të Ron Yeffet mund të nxjerrë gjurmë që lidhen me Ramën. “Me marrjen e telefonave të Yeffetit nuk ka shans që të mos jetë Rama brenda. Se të gjithë thonë se Rama nuk ka lënë gjurmë, por Ahmetaj e di mirë që Rama ka lënë gjurmë, sepse ai po mundohet tani që të pastrojë pisllëkun e madh tek Zvërneci dhe nuk tregon kush janë pesë aksionerët anonimë.” Në vijim, Papa pretendon se rusët dhe ukrainasit që përmenden në këtë çështje janë vetëm menaxherë dhe ngre pretendimin për një aksioner të fshehtë. “Ata rusët e ukrainasit janë menaxherë. Në momentin që nuk i tregon, arsyeja është se ai është vetë aksioner i fshehtë”, tha ai. Papa më pas flet për reagimin që pret nga qytetarët lidhur me tokën në Zvërnec. “Dhe akoma jeton në surrealitet, nuk e kupton që njerëzit do të dalin me mijëra e mijëra për ta mbrojtur atë tokë shqiptare që është e të gjithëve. Nuk është e Lindave, nuk është e Kushnerit, nuk është e Ivankës.”
