9 Tetor 2026

Nga Orgen Peci

Akti i fundit për reformën e re territoriale zbuloi edhe një herë situatën ku është katandisur PS-ja, ku vullneti i një njeriu të vetëm peshon më shumë se protesta e mijëra qytetarëve, rezistenca e pushtetit vendor apo dilemat e vetë deputetëve socialistë

Këmbëngulja e Edi Ramës për të kaluar reformën e re territoriale, përballe protestave të qytetarëve, rezistencës së pushtetit vendor e madje edhe lëkundjeve brenda vetë grupit të tij parlamentar, është një tjetër shembull tipik i arrogancës, imponimit dhe injorimit të reagimit publik prej tij.

Argumenti se shkrirja e bashkive bëhet për “eficiencë administrative” apo “përgatitje për standardet e BE-së” bie ndesh me vetë mënyrën se si po zbatohet ky proces. Reforma në një demokraci funksionale kërkon dëgjimin e komuniteteve lokale, referendume apo konsultime me banorët që preken drejtpërdrejt.

Këmbëngulja për ta kaluar ligjin me pretendimin se “qeveria e di më mirë se qytetarët se çfarë u duhet atyre” është paternalizëm qesharak.

​Arroganca këtu nuk shfaqet vetëm ndaj banorëve, por edhe ndaj vetë strukturës së PS-së. Ulja e vijës së kuqe parlamentare (“kush nuk voton sot, le të ikë”) tregon se vendimmarrja në PS nuk ka më asnjë lidhje me një debat të lirë idesh. Ajo është shndërruar në një provë besnikërie ndaj udhëheqësit të pagabueshëm.

Meqë përmenden orë e pakohë “standardet europiane” këto standarde kërkojnë decentralizim pushteti. Ky i fundit i afrohet qytetarit, jo e kundërta.  Duke i shkrirë bashkitë pa zgjidhur fillimisht mungesën e infrastrukturës apo shërbimet bazë, kryetari i mash arriti majat e reja të arrogancës. Me sa duket as nuk e sheh dot territorin si vend ku jetojnë njerëz me nevoja ditore. Ata që kanë mbetur.

​Strategjia ishte prapë ajo e “faktit të kryer”. Ironia është se jemi pikërisht në kulmin e fushatës së “mbledhjes së halleve”. Thuhet se po dëgjohen e zgjidhen halle, por këtë hall të madh që bashkon qytetarë të 15 bashkive as e dëgjoka e as e mbledh për zgjidhje askush. Në vend të kësaj, kemi përshpejtimin e seancave, rrethimin e godinës së Kuvendit me barriera metalike dhe policë, injorimin e kërkesave për referendum apo dialog lokal.

Udhëheqësi ka arritur në pikën që e sheh edhe votuesin e Partisë Socialiste si një pengesë afatshkurtër që zgjidhet me forcën e kartonëve në Parlament. Ka bindjen se mandatet elektorale i japin të drejtën e plotë për të rivizatuar gjithë vendin, madje edhe për të shitur copa të tij, pa pasur nevojë për llogaridhënie apo konsensus publik.

Aferim i qoftë!