Rrustem Bali Çela

25 Gusht 2026
Në përkujtim të ikjes në amshim të rapsodit hasjan, Rrustem Bali Çela (1956-2026)
RRUSTEM ÇELA ZËRI I PAVDEKSHËM I FOLKLORIT SHQIPTAR
Besim Muhadri
Sot, bota e artit burimor mbarëshqiptar dhe, në veçanti, treva e Hasit, morën lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të Rrustem Çelës, rapsodit të njohur që tërë jetën ia kushtoi këngës popullore dhe ruajtjes së trashëgimisë shpirtërore të vendlindjes dhe historisë së atdheut. Me zërin, pasionin dhe përkushtimin e tij, ai u bë një urë e gjallë mes kujtesës historike, traditës së të parëve dhe brezave që erdhën pas tij.
I lindur në Helshan të Hasit më 5 nëntor 1956 dhe i zhvilluar në Krumë, Rrustem Çela ishte nga ata rapsodë që nuk e kënduan vetëm këngën, por e jetuan atë. Ai u formua në një mjedis ku kënga ishte pjesë e pandashme e jetës: e gëzimeve dhe e dhimbjeve, e kuvendeve dhe e kremteve, e kujtesës dhe e qëndresës. Për të, kënga popullore nuk ishte thjesht një formë artistike, por një mision shpirtëror dhe një mënyrë për ta mbajtur gjallë kujtesën kolektive.
Zëri i historisë dhe i traditës
Me zërin e tij kumbues, interpretimin e ndjerë dhe besnikërinë ndaj këngës burimore, Rrustem Çela dha një kontribut të çmuar në ruajtjen dhe përcjelljen e trashëgimisë folklorike të Hasit. Ai mori nga kujtesa e brezave këngët e moçme dhe ua përcolli brezave të rinj, duke u bërë një nga bartësit e rëndësishëm të kësaj pasurie shpirtërore.
Në skena, festivale, tubime dhe veprimtari të ndryshme artistike, zëri i tij dëshmoi se kënga nuk është vetëm kujtim i së kaluarës, por një traditë e gjallë që vazhdon të marrë frymë në kohën tonë.
Përmes interpretimit të tij, shumë këngë të traditës u ruajtën jo vetëm si krijime artistike, por edhe si dëshmi të një bote të tërë shpirtërore: të historisë, zakoneve, përvojave dhe ndjenjave të njerëzve të Hasit dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Kjo është arsyeja pse emri i Rrustem Çelës do të mbetet i lidhur ngushtë me kujtesën folklorike të trevës së Hasit.

Rrustem Bali Çela

Një emër në “Trion e artë” të folklorit
Emri i Rrustem Çelës do të mbetet i lidhur edhe me një nga bashkëpunimet më të rëndësishme në historinë e këngës hasjane: atë me dy emra të njohur të folklorit, Hysen Didën dhe Rexhep Kovaçin.
Rrustemi iu bashkua dyshes Dida–Kovaçi në vitin 1974, kur ishte rreth 18 vjeç, dhe që nga ajo kohë të tre u bënë pjesë e një formacioni artistik që do të linte gjurmë të veçanta në folklorin e Shqipërisë Veriore, prandaj edhe të Hasit. Për dekada me radhë, ata e përcollën këngën hasjane në skena e tubime të shumta, duke krijuar një bashkëtingëllim të veçantë zërash dhe një identitet të dallueshëm interpretues.
Kjo treshe, e njohur tashmë si një nga “Trioja e artë: Dida-Çala – Kovaçi”, krijoi një harmoni që e kapërceu kufirin e një bashkëpunimi të zakonshëm artistik. Secili prej tyre ruajti veçantinë e zërit dhe të interpretimit, por së bashku krijuan një tingëllim që u bë pjesë e kujtesës muzikore të Hasit.
Kënga që nuk vdes
Ndarja nga jeta e Rrustem Çelës është një humbje e madhe për familjen, për Krumën dhe Hasin, për artin burimor dhe për kulturën shqiptare. Por njerëzit që ia kushtojnë jetën këngës dhe traditës nuk largohen kurrë plotësisht. Ata mbeten aty ku kanë jetuar dhe kanë dhënë zërin e tyre për dekada: në këngë, në kujtesë dhe në zërin e brezave që do t’i dëgjojnë pas tyre.
Rrustem Çela tashmë i përket kujtesës sonë. Ai mori këngët e moçme nga brezat e mëparshëm dhe ua përcolli brezave të rinj, duke u bërë një nga zërat e veçantë të këngës dhe folklorit shqiptar. Prandaj, edhe pse nuk do të jetë më fizikisht në mesin tonë, zëri i tij do të vazhdojë të kumbojë në këngët që la pas, në kujtesën e Hasit dhe në atë trashëgimi të çmuar shpirtërore së cilës ia kushtoi jetën.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për Rrustem Çelën!
Ngushëllime familjes dhe mbarë komunitetit artistik!
Teksti u huazu nga FB: Besim Muhadri