25 Gusht 2026

Vendosja e veprave të artit në hapësirat publike po rikthehet në qendër të debatit, pas nismës për krijimin e një Komisioni Shtetëror të Artit që do të shqyrtojë dhe miratojë ndërhyrjet artistike në mjedisin urban. Debati lidhet jo vetëm me vlerën artistike të veprave, por edhe me marrëdhënien e tyre me hapësirën, arkitekturën, peizazhin, historinë dhe publikun. Skenografi Bashkim Zahaj e sheh këtë si një nevojë të domosdoshme për të rikthyer kriterin profesional në vendosjen e veprave të artit në hapësirat publike.

Në intervistën për gazetën “SOT” skenografi Bashkim Zahaj argumenton se vendimmarrja duhet të jetë kolegjiale dhe larg interesave politike apo personale, ndërsa veprat duhet të vlerësohen edhe për ndikimin që kanë në mjedisin urban dhe në memorien kolektive. Në këtë intervistë, Zahaj ndalet te problematika e vendosjes së veprave, gabimet e së kaluarës dhe kriteret që duhet të udhëheqin një komision të tillë.

-Vendosja e veprave të artit në hapësirat publike do të kalojë tashmë përmes një Komisioni Shtetëror të Artit në Hapësirat Publike që do t’i shqyrtojë dhe miratojë ato. A mendoni se kjo i jep më shumë profesionalizëm procesit apo mund të krijojë një tjetër hallkë burokratike?

Është ajo që unë kam ngritur shqetësimin tim disa herë në media. Patjetër që duhet një “kontroll” territori edhe për veprat e artit që vendosen në publik, hapësira urbane, etj. Në çdo kohë dhe në çdo vend bëhet kjo. Jashtë, kur edhe ngjyrën e vazove të luleve nuk lejohesh ta vendosësh sipas dëshirës, mendo të tjerat. Hezitimi për “kontroll” mbi artin këtu nuk ka vend. Rregulli estetik në krijimin e qyteteve është aq i lashtë sa dhe vetë njeriu.

-Ministri Gonxhja flet për “fundin e preferencave amatore”. Nga përvoja juaj si skenograf, cili ka qenë problemi më i madh deri tani me mënyrën se si janë përzgjedhur veprat që vendosen në hapësirat publike?

Pas viteve ‘90 u krijua ideja për një “liri” mbi hapësirat publike dhe lëvizjet e banorëve, u ndërtua si mos më keq në mënyrën më të gabuar prej gjoja lirisë së krijimit. Popujt gjithmonë i vuajnë këto pasoja. Edhe në art ndodhi e njëjta gjë. Pushtetet nuk krijuan dot marrëdhënie me artistët, pasi kjo do quhej “diktat” ose “kontroll” mbi artin, kur në fakt një marrëdhënie e tillë, me rregulla loje të qarta, në vende me demokraci fillestare do bënte shumë punë, pasi arti është pararojë e zhvillimeve sociale, ekonomike e shoqërore.

Kështu, ato pak vepra “të ngurta”, si shtatore, skulpturë parku apo instalacione, është shumë vështirë të mund të diferencosh ato me vlerë. Bashkitë dhe Ministria e Kulturës në vite nuk mundën dot të shikonin në këtë drejtim. Ju kujtoj Vlorën, që mbante rreth 11 shatërvanë me vepra arti, të cilat sot janë zhdukur. A mund të planifikoheshin sërishmi në gjithë lungomaren? Sigurisht që po, por ja që mungonte ky ekip dhe ky interes.

Bashkitë më së shumti u prinë nga interesa korruptive për të aprovuar dhe vendosur “vepra” pa kurrfarë vlere dhe interesi publik, në një kohë që kemi nxjerrë jashtë Muzeut Kombëtar, për t’i vendosur në natyrë (gafë e madhe), shtatore si ajo e Ismail Qemalit, etj, të cilat urgjentisht duhet të kthehen aty ku ishin dhe të krijohen të tjera në përshtatje me hapësirat, idenë dhe qëllimin. Kur në Tiranë ndodhin gjëra të tilla, mendo në rrethe. “Kultura” e një kombi mbetet “kulturë” kur mbart dhe trashëgon një koncept të qartë të zhvillimit të artit të vet tradicional, pavarësisht rrymave moderne që ka bota.

-Kush duhet të ketë fjalën kryesore kur bëhet fjalë për një vepër në hapësirën publike: artisti, arkitekti, urbanisti, historiani i artit apo një vendimmarrje e përbashkët?

Është një veprimtari komplekse qysh në antikitet dhe sot. Veprat e artit në natyrë fillimisht lindin si rezultat i qëllimit, pastaj vendosjes urbane, arkitektit dhe pa tjetër të artistit të fushës. Ka vende që në këto stafe ka kritikë arti të njohur ose figura të shkencave ekzakte, avokatë apo studiues socialë të padiskutueshëm për profilin e tyre në vite.

Kështu duhet të jetë. Nëse vërtet duan ta bëjnë serioze, këtu nuk hyn politika, por personalitete me prodhimtari jo vetëm në art, por edhe në qëndrime sociale të shprehura, pra personalitete që marrin pjesë aktive në problematikat shoqërore. Të bësh këtë duhet të shkëputesh nga koncepti i partitizmit dhe interesit “moral” politik, por vetëm atij kombëtar. Ky staf “njerëzish”, po ishin të tillë, japin rezultat në grup. Sistemi i kaluar e kishte këtë organizëm, por ai kontrollonte më tepër anën politike, duke i lënë dorë të lirë problemeve të tjera (urbanistit, arkitektit dhe artistit).

-A ekziston rreziku që një komision të vlerësojë më shumë përshtatjen urbanistike të një vepre sesa vlerën e saj artistike?

Varet nga vepra. Kemi vepra “urbane” që patjetër plan të parë zë urbanistika. Ja një shembull, kompleksi arkitektonik në mes të sheshit “Nënë Tereza”, aspak urban dhe me gafa rrezik sjellëse për individin. Ajo hoqi shikueshmërinë për këmbësorin në vijat e bardha, gjithashtu dhe për drejtuesit e mjeteve, duke sjellë rrezik të shtuar.

Dëmtoi peizazhin, siluetën e godinës së Universitetit Shtetëror, një objekt dominant dhe kryefjalë e bulevardit. Pa asnjë funksion për familjarë, nga vetë mënyra në mes të një lëvizjeje urbane mjetesh. (Duke mos folur për vetë ndërtimin dhe origjinalitetin e saj.) Duke e analizuar, kupton se vendimmarrja ka qenë individuale, pikërisht tepër e gabuar, që një “grup” profesionistësh nuk do ta kishin lejuar.

-Çfarë ndodh me veprat që mund të jenë të rëndësishme artistikisht, por që nuk përputhen me estetikën e një hapësire apo me një projekt urbanistik? Kush duhet të ketë fjalën e fundit?

Vepra e artit që paraqitet në natyrë urbane patjetër primare ka respektimin e “qëllimit urban”, pra të krijojë “vlerë urbane estetike”, të shtojë akses vizual dhe imazh impresionues për publikun, të ngjallë kënaqësi, mendim dhe ngacmim mental. Të ketë vlerë në memorie apo histori kombëtare, kur vepra është tradicionale.

Në rastet e veprave simbolike konvencionale dhe instalacioneve, kjo detyrë bëhet primare, pasi “idetë” i largohen reales së momentit në kohë (si vepra tradicionale që ka kohë, vend dhe subjekt). Pra, këto vepra duhet të bëhen një me vendin urban, të ndërveprojnë, ku mungesa e njërës sjell dëmtim të tjetrës. Sigurisht, edhe këtu është artisti ai që “vendos”, pra flitet për artistë të formuar që njohin mirë urbanistikën, arkitekturën, historinë, estetikën etj.

-A mendoni se duhet të bëhen publike kriteret mbi të cilat komisioni do të marrë vendimet, në mënyrë që procesi të mos perceptohet si një vendimmarrje subjektive?

Sigurisht që po. Do thoja se “kriteri” i vetëm është karriera e personit, mbi të cilin nuk mund të ngrihet asnjë dyshim. Reputacioni, mosha dhe përqasja në zhvillimet shoqërore. Ministria, po u largua nga përzgjedhja e interesave të ngushta personale apo partiake, do mund të bëjë gjënë e duhur.

– Me veprat që tashmë janë të ekspozuara a mendoni që duhet të rishikohet vendosja ?

Sigurisht, ky komision duhet të dalë me një studim pas një kohe të caktuar për të gjitha veprat e artit, me kërkesë të qartë për çdo vepër. Ripozicionim, heqje apo krijim i ri, si të veprës ashtu dhe të krijimit të bazamenteve arkitektonike. Të kujtojmë këtu tjetërsimin e kompleksit të Monumentit të Flamurit në Vlorë, një nga ndërhyrjet më negative nga një arkitekt i huaj, apo tjetërsimin e hapësirave te Shtëpia e Flamurit, po në Vlorë, e cila sot është e mbuluar përreth me duna dheu, të cilat e kanë “zhdukur” qenien e saj, bërë po prapë nga ky arkitekt i huaj. Gabime të cilat një arkitekt shqiptar as do t’i çonte në mend.

-Nëse nesër do të uleshit ju në atë komision, cili do të ishte kriteri i parë që do të kërkonit të plotësonte një vepër për t’u vendosur në hapësirën publike?

Kushdo që do të jetë, duhet të marrë vendim kolegjial. Vendim kolegjial merr artisti i formuar edhe si qytetar. Pa ambicie e xhelozira që ndodhin shpesh. Synimi i plotësimit të kërkesës urbane, vizuale dhe artistike. Në veprat tradicionale, pa dyshim vërtetësia; në ato vepra ku instalacioni do jetë primar, do nisesha në efektin njeri-këmbësor dhe vizionit të peizazhit, pasi shumë vepra të tilla nuk respektojnë marrëdhënien me tokësorët, por “bukurinë” nga sipër, nga lart, ku askush nuk ka mundësi t’i shikojë.

Ju kujtoj “Çelësin” e Shkodrës, i cili nga sipër duket bukur, por aty poshtë jep imazhe të tjera, të ngjashme me makineri të braktisura. Jam i bindur se bashkëpunimi i këtij grupi me vetë artistët autorë, pa diktat dhe me frymë bashkëpunimi, do sjellë një rritje cilësore të artit në natyrë.

Intervistoi: Julia Vrapi