Jaho Brahaj: – Cyla dyjare, nga trashëgimia afro 3000-vjeçare te mungesa e vlerësimit institucional.

Me mjeshterin e Cyles Dyjare Bejo Keraj, Zhulat, viti 2016.
Gazeta Sot, 24 Gusht 2026,
Intervistoi: Julia Vrapi
Filmi “The Odyssey” ka sjellë në vëmendjen e publikut ndërkombëtar edhe tinguj të instrumenteve popullore shqiptare dhe elementë të trashëgimisë sonë muzikore. Studiuesi Jaho Brahaj në këtë intervistë flet për historinë, lashtësinë dhe vazhdimësinë e këtyre instrumenteve.
Në intervistën për gazetën “SOT” ai ndalet veçanërisht te cyla dyjare, një instrument që sipas tij, ka rrënjë mijëravjeçare dhe vazhdon të ruhet e praktikohet në trevën e Labërisë. Por, krahas pasurisë së kësaj trashëgimie, Brahaj ngre edhe shqetësimin për mënyrën se si ajo vlerësohet, studiohet dhe promovohet në Shqipëri. Ndër të tjera, ai flet edhe për rolin e institucioneve në ruajtjen e instrumenteve popullore, kostumografisë dhe vlerave të tjera të trashëgimisë sonë kulturore.
-Filmi “The Odyssey” solli në vëmendje cylën dyjare, si pjesë të trashëgimisë sonë kulturore. Sa është i njohur nga ne dhe a është i studiuar ky instrument muzikor?
Për cylen dyjare ka literaturë të gjërë. Së pari për gjenezën e këtij instrumenti të lashtë ka studime nga Ramadan Sokoli dhe për shtrirje ku vazhdon të praktikohet e të punohet në Shqipërinë Juglindore, pra kryesisht në trevën e Labërisë, që ka shtrirje në Vlorë, Gjirokastër dhe Tepelenë. Në vitet 2015-2016 për këtë vegël nga Ministria e Kulturës është plotësuar dhe dosja e dijebërjes, ku për fat edhe unë kam qenë pjesëtar i grupit të punës.
Qëllimi ishte që cylja dyjare e lashtë të shpallej Kryevepër e Trashëgimisë Kulturore dhe ti hapej rrugë plotësimit të dosjes për në UNECO. Është instrument me lashtësi afro 3000 vjeçar dhe që ruhet vetëm në këtë trevë të Shqipërisë, dhe vazhdon të ketë jetë aktive nga dashuria e banorëve dhe grupeve folklorike.
-Pse mendoni se ajo është ende kaq pak e njohur dhe e vlerësuar në Shqipëri?
Ajo ka përdorim masiv dhe nga kompozitori i filmit, nuk është një rizbulim nga një rast i veçantë. Sot, në botën e studimeve të të huajve, ka njohuri për traditat dhe trashëgiminë tonë etnike në të gjitha fushat. Madje, janë të huajt ata që shpeshherë i vlerësojnë dhe i popullarizojnë.
Në Shqipëri punohet pak për ti studiuar e vlerësuar, e edhe për ti bërë pjesë të popullarizimit, së pari tek ne shqiptarët dhe në aktivitetet kulturore artistike jashtë. Për fat të keq, ne mundohemi dhe punojmë për te huazuar (imituar) nga të tjerët, medemek të barazohemi me të tjerët, dhe këto huazime i popullarizojmë pa menduar e vlerësuar se mohojmë vlera tona që janë të trashëguara që nga lashtësia, që janë pjesë e identitetit dhe veçorisë së etnisë tonë.
Ndoshta është rasti të përmendim, p.sh, veshjet tona kombëtare, ku për fat të keq, gati në mënyrë të organizuar, jemi në garë në këto dhjetëvjeçar për të huazuar nga të tjerët, duke ju hequr pjesë dhe elementë e motive grafike kombëtare, duke mohuar vlerat e veshjeve tona që i kanë vlerësuar të tjerët si mrekulli shqiptare, dhe që breza të tërë studiuesish i kanë studiuar dhe dokumentuar e ruhen edhe ekzemplarë, foto e përshkrime të shumta.
– Ju thoni se veglat muzikore që shoqërojnë muzikën e filmit “Odisea” janë të njohura tek ne. Po ku vazhdon të ruhet dhe të praktikohet kjo traditë sot, dhe sa e përhapur është ajo?
Po është muzikë e njohur e trashëgimisë tonë me rrënjë që nga lashtësi, dhe që vazhdon të ketë jetë aktive nga interpretues që e duan dhe e kanë pjesë të trashëgimisë e pasurisë së tyre shpirtërore të ruajtur nga brezat. Ja cylja dyjare, ka me dhjetëra interpretues dhe mjeshtër që vazhdojnë të prodhojnë në zonën e Labërisë.
Madje ka dhe emigrantë nga kjo trevë që e kanë marrë në vendet ku jetojnë e praktikojnë. Vetë tingulli i cyles dyjare ka frymë elegjiake, lirike por është terapi që të qetëson e te futë në meditime. Madje ka ende sot në fshatin lab të Zhulatit të instaluar me furkëza druri që rrinë në natyrë pranë oborreve të staneve këmborë me tingëllima të përzgjedhura ku barinjtë luajnë ,simfoninë, e këmborëve të shoqëruar me cyle dyjare.

A) Cyle dyjare e vitit 1922, me e vjeter se 100 vjecare, B) Labi me Cyle Dyjare, skicë nga Naxhi Bakalli.
Këmboret dha kambanat e kanë zanafillën e origjinën nga remet, (fletët e bakrit) që vareshin në Lisin e Dodonës, ku për tu njohur me fatin e tij shkoi edhe Odisea, dhe ato tregonin me tingëllimën e tyre parathënat e ngjarjeve dhe fateve e njerëzve.
-Ju thatë se ka vjetërsi afro 30 shekuj tek etnija e jonë, ku bazoheni?
Janë të shumtë monumentet e artefaktet arkeologjike që paraqesin këtë instrument në truallin tonë dhe më gjerësisht në Ballkan. Këto monumente (artefakte arkeologjike) janë kryesisht me tematike të ceremonive mortore, dhe studiuesit thonë se kjo vegël muzikore ka pasur përdorim në ligjërimet (vajtimet) në këto ceremoni, krahas temave lirike etj.
Fyelli me dy tyta është i trashëguar në ditët e sotme vetëm nga ne shqiptarët, me emrin cylja dyjare, ka pasur në lashtësi shtrirje më të gjerë në Ballkan. Etnomuzikologët e Kroacisë, të nxitur nga artefaktet arkeologjike, kanë ndërmarrë studime të thelluara në muzikën e trashëguar dhe kanë futur dyzërëshin në muzikën e tyre popullore dhe, me projekte e financim shtetëror, prodhojnë cyle dyjare edhe me zbukurime e simbole të hershme ilire të huazuara nga objektet arkeologjike të truallit ku shtriheshin ilirët. Po e përfshijnë edhe këtë vegël në muzikën e tyre, megjithëse për shekuj të tërë kjo vegël muzikore nuk njihej nga ato.
-Po në vendin tonë si është fati i këtij instrumenti muzikor, që ky film po e shpalos në të gjithë botën?
Për këtë temë mundet të flasim shumë gjatë, por po përmendim dy çështje. Cylja dyjare nuk është përfshirë në klasifikimin që meriton: Kryevepër e Trashëgimisë Kombëtare. Dhe poeti dhe njohësi e krijuesi i disa këngëve labërishte Lefter Çipa kishte ankesa për përfaqësimin muzikor e konkretisht për cylen dyjare. Ai në simpoziume, seminare e takime të grupeve folklorike, në televizion e në shtyp ankohej që muzikës tradicionale po i mohohej cyla dyjare. Si poet e personalitet ai ju ruhej ofendimeve e në mënyrë figuartive shtrembërimet e deformimet e trashëgimisë i quante, kaçakët e ferrës. Ka mbetur proverbiale nga ai kur thoshte: “Kush është ai kaçak i ferrës që ia ka hequr këngës: “Tundu, Bejkë e Bardhë”, cylën dyjare?”.
-Çfarë ka ndikuar në larminë e madhe të instrumenteve dhe melodive të muzikës tradicionale shqiptare?
Instrumentet që na vijnë nga një trashëgimi shumë e pasur, e cila ndërlidhet edhe me zonat e veçanta etnografike që ka trualli ynë, kanë bërë që të kemi një larmi shumë të madhe instrumentesh dhe melodish, të cilat ndryshojnë nga krahina në krahinë.
Kjo pasuri e madhe e instrumenteve tradicionale, në shumicën e rasteve, nuk ruhet dhe nuk ka një përkujdesje të duhur që ato të jenë tamam në timbrin dhe në të gjitha veçoritë që kanë pasur.
Muzika jonë është shumë e pasur dhe e vlerësuar edhe në rrafsh ndërkombëtar. Ajo që na vjen nga tradita është e bazuar kryesisht në këto instrumente muzikore, pa të cilët ne nuk mund të shohim një rrugëtim të mirëfilltë për ruajtjen e veçorive, qoftë në melodi, qoftë edhe në timbrin e zërit të tyre, që ato shfaqin. Sidomos kur këto instrumente janë në duart e mjeshtrave tradicionalë që luajnë me to, ato marrin një vlerë të veçantë.
Gazeta Sot, 24 Gusht 2026.
