Blendi Gonxhe legalizon shkatërrimin e Kalasë së Lëkurësit, resorti me leje arkeologjike false

24 Gusht 2026
Për Blendi Gonxhen ka disa dosje të agjencive europiane për përfshirje të tij në aktivitete kriminale gjatë viteve 2002-2008 në Spanjë, ku u arratis pas hapjes së digës së Liqenit të Tiranës, dhe në Itali e Greqi si emigrant. Dosje për z. Blendi Gonxhen ka dhe drejtësia shqiptare për afera korrupsioni e vjedhjesh gjatë detyrave në Ministrinë e Kulturës, në Bashkinë e Tiranës, Drejtorinë e Transporteve, dhe si ministër i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit.
Prej 11 muajsh, Blendi Gonxhe po vazhdon aferat korruptive si ministër i Turizmit, Kulturës e Sporteve, duke firmosur vendime e urdhra në favor të ndërtuesve, që po shkatërrojnë dhe zhdukin zonat e mbrojtura natyrore, zonat arkeologjike e ato me objekte monumente të trashëgimisë historiko-kulturore.
Prej disa ditësh, “Pamfleti” po publikon vendime abuzive, false e fiktive që ka firmosur ministri Blendi Gonxhe prej muajit janar 2026 e deri më sot, për lejimin e ndërtimit të resorteve, kullave, hoteleve dhe komplekseve me vila e pallate brenda kufijve të zonave të mbrojtura natyrore, zonave arkeologjike dhe monumenteve të trashëgimisë.
Një prej tyre është Vendimi Nr. 189, datë 22 maj 2026, me objekt: “Miratimin e Raportit të kryerjes së sondazheve arkeologjike, hartuar në kuadër të projektit të Resortit multifunksional për banim, hotel dhe shërbime 2, 3, 4, 5 kate mbitokë dhe 1 e 2 kate nëntokë, me vendndodhje në Bashkinë Sarandë, me zhvillues subjektin ‘TDT&Partners’ sh.p.k.”.

Kalaja e Lëkurësit, Sarandë
Kalaja e Lëkurësit nën beton, si u miratua resorti gjigant në zonën e mbrojtur
Kompania “TDT&Partners” është në pronësi të Dajlan Avdiajt, figurë krimesh me disa dosje në Gjermani, dhe bosi i rrjetit të basteve “APEX” e disa kullave në Tiranë, me leje ndërtimi që i ka dhënë miku dhe ortaku i tij në hije, Edi Rama. Për të fshehur vendndodhjen reale të resortit gjigand me vlerë rreth 500 milionë euro dhe sipërfaqe 68 hektarë tokë private e shtetërore, ministri Blendi Gonxhe ka deklaruar në lejen arkeologjike se resorti do të ndërtohet në Sarandë, pa cituar zonën kadastrale.
Por zona gjeografike që ka fshehur Blendi Gonxhe zbulohet nga Vendimi Nr. 22, datë 29 maj 2024 i Këshillit Kombëtar të Territorit, i firmosur nga Edi Rama, që ka miratuar lejen e ndërtimit për resort në zonën e Kalasë së Lëkurësit në Sarandë, nga kompania “TDT&Partners” e mafiozit Dajlan Avdia.
Projekti i ndërtimit të këtij resorti është në tokën brenda kufijve të zonës arkeologjike dhe zonës së trashëgimisë kulturore të Kalasë së Lëkurësit, që tashmë do të uzurpohet, shkatërrohet e mbulohet nga themelet dhe objektet e resortit të mikut të Edi Ramës. Është lidhja në interesa mes Edi Ramës dhe ndërtuesit mafioz Dajlan Avdia që ka detyruar ministrin Blendi Gonxhe të japë miratimin e lejes për ndërtimin e resortit, duke mashtruar sikur zona arkeologjike dhe e trashëgimisë historiko-kulturore në Kalanë e Lëkurësit nuk janë të tilla.
Aq tallës është vendimi i Blendi Gonxhes, sa për të fshehur të vërtetën e krimit ndaj vlerave të trashëgimisë, i ka lënë gjoja detyrë ndërtuesit Dajlan Avdia të bëjë akt-marrëveshje me firma të licencuara në arkeologji, për të mbikëqyrur kryerjen e punimeve të resortit. Ndërsa në vendim thotë: “Miratohet raporti i kryerjes së sondazheve arkeologjike, që lejon ndërtimin e resortit”, duke mashtruar sikur në zonën e mbrojtur rreth Kalasë së Lëkurësit nuk ka vlera arkeologjike e të trashëgimisë.
Nga: Gazeta Sot
