Rikthehet në shkëlqimin e tij Muzeu Etnografik i Beratit, 1300 objekte dëshmojnë pjese te historisë se qytetit

Muzeu Etnografik Berat
30 Maji 2026
Pas një procesi të kujdesshëm restaurimi dhe konservimi, është rihapur Muzeu Etnografik i Beratit, një nga institucionet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në vend, duke pasuruar ofertën turistike të qytetit të Berat.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja theksoi se rihapja e muzeut përfaqëson një investim të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare.

Muzeu Etnografik Berat
“Pas një procesi të kujdesshëm restaurimi dhe konservimi, Muzeu Etnografik i Beratit rihap dyert, duke pasuruar ofertën turistike të një prej qyteteve më të vizituara të Shqipërisë. Me një koleksion prej rreth 1300 objektesh që dëshmojnë trashëgiminë, kulturën, traditat, zejet dhe mënyrën e jetesës së beratasve ndër shekuj.
Sipas tij, ndërhyrjet restauruese janë realizuar me fokus ruajtjen e vlerave origjinale të objektit dhe përmirësimin e përvojës së vizitorëve.
“Ndërhyrjet restauruese kanë ruajtur autenticitetin dhe vlerat monumentale të objektit, ndërsa rimuzealizimi, ndriçimi i ri dhe restaurimi i koleksioneve e shndërrojnë këtë ‘shtëpi muze’ në një adresë të rëndësishme të kujtesës dhe identitetit tonë kulturor”, deklaroi ai.
“Rihapja e Muzeut Etnografik është një investim në trashëgimi, kulturë dhe turizëm, duke forcuar më tej rolin e Beratit si një destinacion unik ku historia, tradita dhe mikpritja shqiptare takohen në çdo hap. Artizanati dhe dijebërja, aktivitetet edukative dhe promovuese do të jenë shpirti i dytë i kësaj hapësire të gjallë që rijetëzon dhe dëshmon me krenari qytetërimin tonë të hershëm qytetas dhe finesën beratase, tashmë atraksion global”, tha ministri.

Muzeu Etnografik Berat
Muzeu i rihapur pritet të shërbejë jo vetëm si një qendër ekspozimi e trashëgimisë etnografike, por edhe si një hapësirë aktive për promovimin e artizanatit, edukimit kulturor dhe aktiviteteve që lidhin vizitorët me historinë dhe identitetin e qytetit të Beratit.
