Plumba gome mbi protestues pa maska dhe që nuk po marrin pjesë në dhunë! 28 Nëntor 2026

29 Nëntor 2026

Nga Dori Xhima

Përplasjet në protesta sjellin në qendër të debatit publik dhunën e shkaktuar nga grupet e maskuara, por edhe mënyrën si reagojnë forcat e rendit në terren. Një nga pikat më të ndjeshme dhe më të vështira për t’u shpjeguar mbetet raporti mes atyre që ushtrojnë dhunë të dukshme dhe atyre që përfundojnë të lënduar nga mjetet e ndërhyrjes.

​Ajo që bie në sy dhe shkakton habi e revoltë është fakti se lëndimet nga municionet me impakt kinetik — të njohura në gjuhën e përditshme si plumba gome — po prekin persona të pamaskuar, protestues paqësorë, vajza në rastin e fundit, ndërsa individë të maskuar që hedhin mjete të rrezikshme apo ndezëse duket se veprojnë të papenguar në momentet kyçe të përplasjes.

​Nga pikëpamja ligjore dhe procedurale, përdorimi i mjeteve të tilla nuk është i lirë dhe as i pakushtëzuar.

1 – Forca duhet të jetë e lidhur drejtpërdrejt me rrezikun real dhe të mos tejkalojë atë që është e domosdoshme për rivendosjen e rendit. Cfarë rreziku ka patur polici që ka qëlluar mbi vajzën në videon poshtë? Në çfarë mënyre kjo vajzë ia rrezikoi atij jetën?

2 – Përdorimi i plumbave të gomës kërkon individualizim të shënjestrës. Policia ka detyrim të bëjë dallimin e qartë mes atyre që kryejnë akte të dhunshme dhe qytetarëve të tjerë që nuk paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë.

3 – Kujdes ndaj zonave jetike dhe të tretëve: Shmangien e goditjeve të rrezikshme, veçanërisht në kokë, qafë apo fytyrë dhe mbrojtjen e personave të paarmatosur apo të medias.

Plumba gome mbi protestues pa maska dhe që nuk po marrin pjesë në dhunë! 28 Nëntor 2026

Në terren po ndodh e kundërta. Goditen qytetarë të pamaskuar dhe paqësorë, ndërsa autorët e maskuar të dhunës nuk ndalen me të njëjtën saktësi. Kjo situatë ngre pyetje nëse kemi të bëjmë me mungesë disipline në qitje, me zgjedhje të gabuar taktike, apo qëllimisht qëllohen ata që nuk bëjnë dhunë?

Përtej polemikave të momentit, çdo rast i tillë kërkon verifikim të pavarur dhe transparent nga institucionet mbikëqyrëse dhe organet e drejtësisë. Vetëm duke u zbardhur se kush dha urdhrin, si u zbatua procedura dhe pse u goditën të pamaskuarit, mund të ruhet besimi te ligji dhe mbrojtja e të drejtës kushtetuese për protestë paqësore.