Shqiperia ka vetëm një rrugë: – Dorheqje e Edi Ramës

29 Nëntor 2026
Një ditë pas protestës kombëtare të 28 Nëntorit, e cila u shoqërua me përplasje të forta mes qytetarëve dhe policisë, sot pritet të zhvillohet një tjetër protestë në Tiranë. Qytetarët dhe studentët pritet të vijojnë qëndresën kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, me kërkesën kryesore për dorëheqjen e tij.
Tubimi i sotëm nis në orën 10:00 dhe vjen pas manifestimit të zhvilluar në Ditën e Pavarësisë, ku mijëra qytetarë nga qytete të ndryshme të vendit, si dhe shqiptarë nga diaspora, iu bashkuan thirrjes për protestë. Lëvizja vijon të kërkojë largimin e kryeministrit, krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Gjatë protestës së djeshme, qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, me flamuj kombëtarë, pankarta dhe banderola. Por situata u tensionua kur policia nuk lejoi grumbullimin e protestuesve përpara godinës së qeverisë.
Efektivët përdorën gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë me presion për të shpërndarë turmën, ndërsa protestuesit u kundërpërgjigjën me gurë dhe molotovë. Përplasjet vijuan në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas u zhvendosën në sheshin “Skënderbej”, ku policia përdori edhe dronë për hedhjen e gazit lotsjellës.
Numri i të lënduarve gjatë protestës së 28 Nëntorit arriti në 48 persona, mes tyre efektivë policie, protestues dhe gazetarë.
Protestuesit kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen deri në përmbushjen e kërkesës së tyre kryesore, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.