29 Nëntor 26

Kapela Sistine nuk ishte i vetmi projekt madhor me të cilin u mor Mikelanxhelo. Gjatë viteve, ai la gjurmët e tij në shumë prej ndërtesave dhe monumenteve më të rëndësishme të Romës. Ai kontribuoi në projektimin e Pallatit Farnese, riorganizoi sheshin Piazza del Campidoglio dhe ndikoi në projektimin e kupolës së Bazilikës së Shën Pjetrit. Ndërkohë, në Firence, punimet për Bibliotekën Laurentiane dhe bazilikën San Lorenzo vazhdonin sipas projekteve të tij.

Por ndër të gjitha porositë që mori, njëra do ta shoqëronte dhe mundonte gjatë gjithë jetës: varri monumental i Papa Juliusit II.

Image

Përplasja e dy personaliteteve

Julius II ishte një nga papët më të mëdhenj të Rilindjes dhe një mbështetës i rëndësishëm i artit. Ai porositi Mikelanxhelon të pikturonte tavanin e Kapelës Sistine, ndërsa Rafaelin të dekoronte dhomat e tij private. Arkitektit Donato Bramante i besoi projektimin e një Bazilike të re të Shën Pjetrit.

Varri i tij ishte menduar të vendosej në qendër të kësaj bazilike dhe ishte porositur që në vitin 1505. Megjithatë, marrëdhënia mes papës dhe Mikelanxhelos nuk ishte gjithmonë e lehtë.

Në vitin 1506, kur Julius II refuzoi ta priste, Mikelanxhelo u largua drejt Firences, i vendosur të mos kthehej më në Romë. Papa dërgoi letra dhe ndërmjetës për ta bindur të rikthehej, por pa sukses. Vetëm pasi pushtoi Bolonjën, arriti ta takonte artistin dhe i kërkoi një skulpturë bronzi ku të paraqitej si pushtues. Mikelanxhelo e pranoi porosinë, por vepra u shkatërrua kur familja Bentivoglio rimori kontrollin e qytetit.

Varri që nuk u realizua kurrë

Image

Projekti fillestar i varrit të Juliusit II ishte gjigant. Mikelanxhelo parashikonte një monument tredimensional, me tri nivele, më shumë se 40 skulptura mermeri dhe disa relieve bronzi. Ai synonte të krijonte një vepër që mund të rivalizonte edhe Mauzoleun e Halikarnasit, një nga shtatë mrekullitë e botës së lashtë.

Në qendër do të qëndronte figura e papës, e ngritur nga dy engjëj nga sarkofagu, si simbol i ringjalljes në Ditën e Gjykimit. Projekti përfshinte gjithashtu figura biblike, si Moisiu dhe Shën Pali, si dhe personifikime të Besimit dhe Bamirësisë.

Kolonat do të zbukuroheshin me figura nudo, të cilat Mikelanxhelo i quante “të burgosurit”. Disa prej tyre mbetën të papërfunduara dhe asnjëra nuk u përfshi në monumentin përfundimtar. Sot, disa prej këtyre skulpturave, të njohura edhe si “skllevërit”, ruhen në Luvër.

Një projekt i kushtueshëm dhe i papërfunduar

Pas vdekjes së Juliusit II në vitin 1513, Mikelanxhelo nënshkroi disa kontrata të reja me trashëgimtarët e papës. Me çdo kontratë, numri i skulpturave zvogëlohej, ndërsa kostoja rritej.

Artisti kishte blerë blloqe të mëdha mermeri dhe i ruante në shtëpinë e tij në Romë, por që nga viti 1516 nuk punoi më me to.

Megjithatë, ai vazhdoi të merrte pagesa për projektin. Në total, përfitoi më shumë se 4063 florinj, më shumë se për çdo porosi tjetër gjatë jetës së tij. Për krahasim, për tavanin e Kapelës Sistine ishte paguar 3000 florinj.

Kur u kthye në Romë në vitin 1534, Mikelanxhelo ishte jashtëzakonisht i pasur, me një pasuri që vlerësohet rreth 45 000 florinj. Megjithatë, ai vazhdonte të bënte një jetë të thjeshtë dhe modeste.

Zhgënjimi i madh

Image

Projekti madhështor përfundoi në një monument shumë më modest. Për shkak të ndryshimit të prioriteteve të papëve dhe angazhimeve të tjera të Mikelanxhelos, varri u zhvendos nga Bazilika e Shën Pjetrit në kishën San Pietro in Vincoli, në Romë.

Në vitin 1545, monumenti u përfundua si një strukturë funerare e vendosur pranë murit të kishës. Në të u përfshi vetëm një skulpturë e realizuar tërësisht nga Mikelanxhelo: figura monumentale e Moisiut. Pjesa tjetër u punua kryesisht nga bashkëpunëtorët e tij. Në të vërtetë, Julius II nuk është varrosur aty, por në Bazilikën e Shën Pjetrit, nën një pllakë të thjeshtë mermeri. Prandaj, monumenti konsiderohet më shumë një cenotaf, pra një përmendore funerare pa trupin e të ndjerit.

Ndryshimi i fundit te Moisiu

Skulptura e Moisiut ishte përfunduar që në vitin 1516, por Mikelanxhelo vendosi ta ndryshonte edhe shumë vite më vonë. Në vitin 1542, pak para se vepra të zhvendosej në kishë, ai ndërhyri sërish në të.

Image

Deri atëherë, Moisiu shikonte drejt përpara. Pas një komenti të një miku që e kishte parë skulpturën në shtëpinë e artistit, Mikelanxhelo mori daltën dhe çekiçin dhe i ndryshoi pozicionin e kokës, duke e kthyer nga e majta. Ai ripunoi edhe pjesë të trupit dhe një këmbë.

Ndërhyrja ishte aq e jashtëzakonshme saqë sot mezi dallohet. Ajo mund të vërehet kryesisht te kthesa e mjekrës dhe pjesa e pasme e qafës.

Mikelanxhelo vdiq në studion e tij në Romë, në shkurt të vitit 1564, vetëm gjashtë ditë pasi kishte punuar për skulpturën Pietà Rondanini. Fillimisht u varros në Romë, por të afërmit e tij arritën ta merrnin fshehurazi trupin dhe ta çonin në Firence, sipas dëshirës së artistit. Pas një funerali madhështor në bazilikën San Lorenzo, ai u varros në kishën Santa Croce, ku prehet edhe sot. / National Geographic – Syri.net