30 Maji 2026

Sinoptikania Lajda Porja, paralajmëroi se masat ajrore të nxehta me origjinë afrikane do të ndikojnë fuqishëm në territorin shqiptar, duke sjellë temperatura që në javën e parë do të arrijnë deri në 34 gradë Celsius.

Sipas saj, pas datës 5 qershor pritet një tjetër rritje graduale e temperaturave, ku termometri mund të shënojë deri në 35–36°C, kryesisht në zonat e ulëta dhe qytetet e brendshme të vendit.

“Javën e parë të qershorit temperaturat do të jenë rreth 33–34 gradë. Pas datës 5 pritet një rritje graduale deri në 35–36 gradë celsius nën hije. Këto masa të nxehta afrikane do të jenë të pranishme gjatë gjithë verës, me ndërprerje të shkurtra”, u shpreh sinoptikania.

Megjithatë, muaji nuk do të jetë plotësisht i qëndrueshëm. Në disa zona të vendit priten rrebeshe të shkurtra shiu, të shkaktuara nga zhvillimi i shpejtë i vranësirave konvektive si pasojë e temperaturave të larta.

Fenomenet më të shpeshta atmosferike pritet të regjistrohen në zonat malore dhe lindore, ndërsa bregdeti do të mbetet kryesisht i kthjellët dhe i qëndrueshëm.

Qytetet më të rrezikuara nga reshjet e izoluara janë Tirana, Kukësi, Puka, Bajram Curri, Peshkopia, Bulqiza, Korça, Pogradeci, Erseka, Tepelena dhe Gjirokastra.

Sipas parashikimit meteorologjik, moti do të mbetet kryesisht i qëndrueshëm deri më 10 qershor, ndërsa në datat 11–12 qershor mund të ketë një ndërprerje të shkurtër me reshje kalimtare, për t’iu rikthyer më pas temperaturave të larta dhe kthjellimeve.