Rikthehet ‘Iso mbi kalldrëm’ në Gjirokastër

7 Gusht 2026
Mbrëmjet e verës në Pazarin Karakteristik të Gjirokastrës vijojnë të marrin jetë nën tingujt e isopolifonisë. Edicioni i pestë i aktivitetit “Iso mbi Kalldrëm” ka rikthyer edhe këtë vit atmosferën tradicionale në zemër të qytetit, duke mbledhur banorë e vizitorë vendas e të huaj.
“Është kënaqësi që polifonia si një si një aset i madh i çmuar të shikohet dhe nga turistët e cila është kryevlera e kombit tonë që mbrohet edhe nga UNESCO. dhe ne si djem të rinj kemi vendosur që ta ruajmë këtë thesarin tonë shpirtëror të trashëguar nga brezat duke e përcjellë dhe në brezat e r duke qenë burim frymëzimi për ata që janë brenda vendit por dhe për ata që janë jashtë”, tha Mihal Kaçi.
Aktiviteti ka zgjuar interes edhe te turistët, të cilët ndalojnë për të ndjekur nga afër një prej pasurive më të çmuara të kulturës shqiptare.
“Mendoj që qyteti është shumë tërheqës. Njerëzit këtu janë shumë të këndshëm. Traditat këtu janë të ngjashme me ato të vendit tim. Unë jam nga Kurdistani. Ne atje kemi të njëjta tradita. Si vishemi, si këndojmë. Këngët janë shumë të bukura. Gjithçka është e mrekullueshme”, tha një turist.
“Është absolutisht çdo gjë e bukur dhe mahnitëse. Një qytet shumë i bukur. Kemi dy ditë këtu. Ushqimi është i mrekullueshëm, njerëzit të dashur dhe muzika e bukur”, tha një tjetër turiste.
“Iso mbi Kalldrëm” është tashmë një traditë e mbrëmjeve verore në Gjirokastër, duke i dhënë mundësi vizitorëve të përjetojnë nga afër magjinë e isopolifonisë në një nga ambientet më karakteristike të qytetit.
Në Pazarin Karakteristik të Gjirokastrës, tingujt e isopolifonisë do të vijojnë të jehojnë përgjatë gjithë muajit gusht, duke e kthyer çdo mbrëmje në një ftesë të hapur për të gjithë ata që duan të njohin nga afër traditën dhe kulturën shqiptare.
