12 Janar 2026

Duke folur në podcastin e tij “Flasim”, kryeministri Rama u shpreh se niveli i dëmeve gjatë përmbytjeve të fundit është shumëfish më i vogël se ai i përmbytjeve që ndodhnin 10 vjet më parë dhe kjo në sajë të investimeve shumë të mëdha në infrastrukturë që ka bërë qeveria.

Rama përpos kushteve atmosferike dhe infrastrukturës, bëri me faj dhe qytetarët që hedhin mbeturina plastike, të cilat sipas tij kanë një peshë të mirë të përgjegjësisë për përmbytjet.

“Ama përtej vorbullës atmosferike, ndryshimit klimatik, sasisë së reshjeve, faktori njerëzor ka peshën e vet.

Unë nuk e di fare sinqerisht se si i bëhet harbutërisë ekstreme ndaj natyrës që manifestojmë orë e çast ne si popull! Po troç, ne si popull! Prurjet marramendëse të plastikës nga lumenjtë në këto raste, janë të frikshme, janë të neveritshme, janë kriminale në kuptimin e plotë të fjalës.

Ne si qeveri e si shumicë popullore, sidoqoftë nuk do të dorëzohemi, e do të dalim më tej me masa të reja kundër kësaj fuqie të errësirës në trurin tonë si milet. Ajo që i bëjmë ne Shqipërisë, duke hedhur një shishe plastike apo duke hedhur një qese plastike në rrugë ka vetëm një fjalë që e përkufizon, KRIM”, tha Rama.