Taksa në “Rrugën e Kombit” ishte kryefjala e debateve të zhvilluara sot në Kuvendin e Shqipërisë, ku opozita e akuzoi ashpër qeverinë se po del në krah të interesave të oligarkëve dhe koncensionarëve, duke goditur me dorë të hekurt qytetarët e vetë.

Nënkryetari i LSI, Luan Rama i kujtoi kryeministrit Edi Rama nga foltorja e Kuvendit, se “shteti -janë shërbimi, jeta, shpëtimi, shëndetësia,siguria, arsimi” dhe jo dimensioni skandaloz i abuzivimizmit dhe shpërdorimit të emrit të shtetit për interesat e vetë të parit të qeverisë.

“U fol këtu edhe për çështjen e taksimit apo të tarifës për përdorimin, shfrytëzimin e Rrugës së Kombit. Është në fakt edhe kjo një gjë paradoksale. Ajo rrugë ka nisur si një trill, si një ideal romantik dhe patriotik me të ashtuquajturën “Taksa Majko” dhe po e katandisim këtë gjë në tarifën ‘Edit T’”, u shpreh Rama.

Ai gjithashtu atakoi mënyrën e trajtimit nga ana e qeverisë të qytetarëve, ku në 5 vite korrupsioni është rritur dhe shërbimet nuk ofrohen aspak siç duhen për një vend anëtar tyë NATO-s e aspirant për t’u bashkuar me BE.

“Qytetarët e vendit tënd zoti Kryetar i Kuvendit dhe të vendit tim zoti Kryetar i Kuvendit, për të cilët, ne të dy kemi folur dhe kemi punuar bashkë për të garantuar shtetin social me dimensione humanizimi, janë të pambrojtur përballë korrupsionit.  Janë të pambrojtur përballë korrupsionit në të gjithë nivelet të administratës”

Sipas Ramës një problem madhor në vend është edhe futja e drejtësisë në kolaps, pavarësisht se lart e poshtë qeveria ‘rreh gjoksin’ për reformimin e sistemit.

“Sot Shqipëria është pa Gjykatë Kushtetuese zoti Kryetar i Kuvendit! Sot Shqipëria është me një sistem drejtësie tërësisht në kolaps dhe përballë abuzivizmit, arbitraritetit dhe arrogancës së çdo institucioni në vendimmarrjen e vet, përfshirë këtu dhe Kuvendin e Shqipërisë, qytetarët shqiptarë janë të pambrojtur. Ky Kuvend sot mund të ndërmarrë çfarëdo lloj akti dhe askush nuk ka mundësinë të mbrohet siç e garanton Kushtetuta duke ju drejtuar Gjykatës Kushtetuese, sepse një Gjykatë Kushtetuese me 4 anëtarë nuk ka kourumin e nevojshëm për të shqyrtuar dhe për të marrë një vendim në mbrojtje të kushtetutshmërisë”, deklaroi Rama.

Sipas nënkryetarit të LSI, situata e krijuar në sistemin e drejtësisë është skandaloze. “Bëjmë retorikë këtu dhe mburremi edhe përballë partnerëve ndërkombëtarë që po i japim jetë Reformës në Drejtësi. Me cilën Drejtësi? Me drejtësinë pa Gjykatë Kushtetuese? Me Drejtësinë pa Gjykatë të Lartë?!”, shtroi me shqetësim pyetjen ai.

29 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)