Qeveria mbledh arkivolet, askush nuk do të varroset më. –

E çuditshme, por e vërtetë. Në Kinë është ndërmarrë një fushatë për dorëzimin e arkivoleve dhe thuhet se, që nga 23 qershori më shumë se 5 mijë banorë rezidentë në juglindje të provincës Xiangi kanë dorëzuar arkivolet e tyre me detyrim.

Kjo mbledhje e arkivoleve vjen, pasi Kina po përpiqet që të ndryshojë perceptimin tradicional sa i takon ceremonisë së varrimit, duke inkurajuar qytetarët që të djegin trupat e të vdekurve. Sipas agjencisë kineze Xinhua, qytetarët shpenzojnë shumë me varrimet tradicionale, nuk kujdesen për burimet natyrore dhe gjithashtu nuk kursejnë as hapësirën e tokës me varrimet, ndërsa me metodën “kremim”, ku trupi i të vdekurit digjet nuk kërcënohen burimet natyrore, ka më shumë tokë të lirë dhe qytetarët nuk shpenzojnë.

Po sipas kësaj gazeta javën e shkuar janë parë tre kamionë që shkojnë e vijnë nga qytetit Gao’an për të mbledhur arkivolet e qytetarëve nëpër shtëpitë e tyre. Pra si duket kinezët i parapërgatitin vetë në mënyrë tradicionale arkivolet dhe i mbajnë nëpër banesat e tyre. Sakaq, sipas gazetës “Global Times”, banorët që dorëzojnë vetë arkivolet shpërblehen me një shumë prej 2000 yuan (308 dollarë) për çdo arkivol, një shumë tejet e vogël krahasuar me vlerën reale të arkivolit. Por ka pasur edhe qytetarë që kanë dalë kundër kësaj reforme, duke u shprehur se marrja e arkivolit është dhunim dhe lëndim emocional. Megjithatë në Kinë prej vitesh flitet për problemin e gjetjes së një hapësire për varre të reja, aq sa ka edhe varre familjare me kate dhe kjo është arsyeja pse Kina ka ndërmarrë një plan 5-vjeçar për zgjidhjen e këtij problemi.

Qeveria kineze promovon varrimin në det ose varreza poshtë pemës, ndërsa në zonat urbane është paraqitur ideja e varreve vertikale apo varre më të vogla se përmasat e trupit të vdekur, gjithnjë duke i mëshuar më shumë idesë së djegies së trupit.