21 Shtator 2026

Nga Julia Vrapi

Veshjet dhe objektet e tjera të Çerçiz Topullit, të ekspozuara në Muzeun e Kalasë së Gjirokastrës përmes një manekini, janë bërë pjesë e një debati për mënyrën e paraqitjes së figurave historike në hapësirat muzeale. Përdorimi i një manekini me portret të kontestuar për paraqitjen e tyre ka ngjallur polemika, duke rikthyer në vëmendje edhe nevojën për më shumë kujdes në trajtimin, ruajtjen dhe ekspozimin e objekteve muzeale.

Studiuesit e shohin rastin e Gjirokastrës si pjesë të një shqetësimi më të gjerë për muzetë, veçanërisht ata në rrethe, ku kërkohet më shumë vëmendje për kushtet e ruajtjes së objekteve dhe mënyrën e ekspozimit të tyre sipas kritereve profesionale.

Rasti ngre gjithashtu çështjen e përgjegjësisë së institucioneve, nga Bashkia Gjirokastër te Ministria e Kulturës, për të garantuar standarde të përshtatshme në ruajtjen dhe paraqitjen e trashëgimisë muzeale. Duke vënë theksin te mungesa e ekspertizës profesionale dhe nevoja për ngritjen e profileve akademike në këtë fushë, studiuesi Jaho Brahaj thotë se trajtimi i deritanishëm i pasurisë muzeale lë për të dëshiruar dhe kërkon ndryshime rrënjësore në arsim. “E kam përsëritur disa herë: Ne nuk kemi muzeologë. Objektet muzeale i trashëgojmë nga periudha para viteve 1990, në shumicën e tyre.

Edhe kjo pasuri objektesh muzeale trajtohet si çdo mall, duke u ndikuar nga ekspozitat pa kurrfarë kriteri dhe vlerësimi si objekte muzeale. Janë fenomene të papranueshme dhe tregues që universitetet tona të kenë domosdo edhe një lëndë mësimore: Muzeologji”, thotë Brahaj.

Ndërsa publicisti Frano Kulli e lidh rastin me mënyrën e funksionimit të institucioneve dhe me përgjegjësinë e strukturave që administrojnë trashëgiminë kulturore. “Shfytyrimi i një figure historike  si Çerçiz Topulli në muzeun e Kalasë së Gjirokastrës është shfytyrim i vetë trashëgimisë sonë historike e kulturore. Vendosja në krye të këtyre institucioneve e personave aspak seriozë e aspak të përgjegjshëm për detyra të tilla është në sinkron me krejt politikat e papërgjegjshme kulturore të institucioneve të shtetit lidhur me trashëgiminë tonë  historike, po edhe letrare e kulturore në përgjithësi”, shprehet Frano Kulli publicist.

Më shumë vëmendje për muzetë në rrethe

Në këtë debat, studiuesi Xhahid Bushati e vë theksin te respektimi i figurave historike dhe kujdesi ndaj objekteve muzeale, duke i cilësuar ato si përgjegjësi të drejtpërdrejtë shkencore dhe institucionale. “Raporti me objektet e muzeut, qoftë sendet me vlerë, qoftë dhe ato që mishërojnë luftëtarët me të cilët historia është e lidhur dhe që kanë sakrifikuar për lirinë dhe pavarësinë, duhet të ketë vetëm një fjalë: përkujdesje, nderim dhe saktësi shkencore, sepse vetë muzeu si institucion është një enciklopedi, një ciceron shumë i ditur, i cili do t’u flasë brezave dhe veçanërisht figurat duhen respektuar dhe nuk duhen kthyer në objekte pak qesharake. Kjo është e pajustifikueshme”, thotë ai.

Në vijim, Bushati ndalet te nevoja për më shumë vëmendje ndaj trashëgimisë materiale në rrethe, duke shpjeguar se gjendja e institucioneve muzeore kërkon ndërhyrje dhe reformim të thellë. “Por mesazhi im shkon dhe te ata muze të tjerë në rrethe, ku një pjesë e mirë janë jashtë kohe, sepse nuk ka vënë kush dorë dhe janë për t’u dhembur. E dyta, janë vjetruar, të tjerët nuk janë pasuruar kur kanë nevojë, të tjerë kërkojnë një trajtim dhe koncept shkencor”, shprehet studiuesi.

Përgjegjësia institucionale dhe nevoja për standarde në çdo muze

Edhe më herët në reagimet e tyre, specialistë të ndryshëm kanë shprehur kritika në drejtim të institucioneve, duke kërkuar më shumë vëmendje për muzetë në vend.  Gjithashtu edhe Bushati kërkon angazhim më të madh nga institucionet dhe specialistët, veçanërisht gjatë sezonit turistik. “Ministria e Kulturës dhe ministri Blendi Gonxhja kanë përgjegjësi dhe specialistët duhet të lëvizin nga kolltuku dhe duhet t’i shikojnë, aq më shumë muzeu merr konfiguracion dhe dimension të madh edhe në kohë turistësh.

Dhe nuk do të jetë e bukur që një objekt, siç është në rastin e heroit Çerçiz Topulli, të jetë i pasqyruar në atë mënyrë në muze. Kjo përgjegjësi shkon shkallë-shkallë, edhe bashkia, edhe ministria. Sipas meje, aty duhet të jetë një bust i vogël në bronz ose në gips dhe pastaj objektet e tjera përreth. Por problematikat për muzetë duhet të shihen edhe në rrethe të tjera, te muzetë lokalë. Gjëja e parë, turistët gjërat antike, historikun e qytetit kanë dëshirë të shohin”, shprehet Xhahid Bushati.

Në vijim të këtij debati publik dhe shqetësimit të ngritur, situata solli reagime në strukturat vendore. Si pasojë e kësaj ngjarjeje rreth trajtimit të figurës së heroit, drejtori i Agjencisë së Trashëgimisë Kulturore në Bashkinë e Gjirokastrës dha dorëheqjen nga detyra. Pas këtyre zhvillimeve, portreti i kontestuar është hequr nga struktura ekspozuese. Veshjet dhe objektet që lidhen me heroin tashmë paraqiten mbi një manekin neutral pa fytyrë. Çerçiz Topulli lindi më 20 shtator 1880 në Gjirokastër.

Ai ishte atdhetar dhe veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare, udhëheqës i luftës së armatosur të çetave për çlirimin kombëtar të vendit dhe Hero i Popullit. Çerçiz Topulli drejtoi Luftën e Mashkullorës në 1908, si dhe punoi për formimin e klubeve shqiptare dhe për hapjen e shkollave shqipe në vise të ndryshme të vendit.

Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, ai u vu në shërbim të qeverisë së Ismail Qemalit dhe luftoi për mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut. U vra më 15 korrik 1915 në Fushën e Shtoit, në Shkodër, nga forcat pushtuese malazeze. Në vitin 1937, eshtrat e Çerçiz Topullit u sollën në Gjirokastër.