Rama revoltohet nga kritikat e BE-së, përplasje me ambasadoren

5 Nëntor 2026
Bashkimi Europian ia ka kërkuar edhe në sy kryeministrit Edi Rama që të dëgjojë shqetësimet e qytetarëve shqiptarë që janë ngritur në protesta masive. Në konferencën për shtyp, Rama nuk nguroi që të ashpërsonte tonet përballë ambasadores së BE-së, Sofia Moreira de Sousa, e cila, teksa dënoi dhunën në protestë, kërkoi që Policia të mos ushtrojë dhunë joproporcionale. Sipas ambasadores, shqetësimet e shqiptarëve janë edhe shqetësime të ngritura nga Bashkimi Europian, ndaj theksoi se në thelb procesi i integrimit është llogaridhënia dhe jo vetëm ligjet në letër. Përballë këtyre qëndrimeve, kryeministri Rama shtoi dozën e kërcënimeve ndaj protestuesve, të cilët i akuzoi se kanë vetëm një qëllim: rrëzimin e qeverisë së tij.
Progres-Raportin e Komisionit Europian, që ngre alarmin për korrupsionin, krimin e organizuar, zgjedhjet pa garë dhe mbrojtjen me votë parlamentare të korrupsionit përmes nismave parti-shtet, Edi Rama e ka cilësuar si histori suksesi. I njëjti qëndrim duket se nuk vjen nga ana e Bashkimit Europian. Gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin, drejtuesja e Delegacionit të Bashkimit Europian, Sofia Moreira de Sousa, vendosi theksin te shkaqet për të cilat janë ngritur qytetarët, duke nënvizuar se këto protesta duhen dëgjuar dhe se protestuesve nuk duhet t’u kundërpërgjigjen me dhunë policore joproporcionale.
Ambasadorja e Bashkimit Europian u tregua edhe më kritike gjatë pyetjeve të gazetarëve, duke theksuar se në thelb integrimi në Bashkimin Europian nuk është vetëm miratim ligjesh, por llogaridhënie dhe dëgjim i kërkesave të protestuesve.
Ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa:
“Nuk është vetëm miratim ligjesh, por zbatim dhe këtë kërkojnë protestat masive. Llogaridhënia është në thelb të procesit të integrimit.”
Përballë kërkesës së Bashkimit Europian, Edi Rama shtoi dozën e kërcënimeve, madje duke theksuar se do të jetë edhe më represiv ndaj protestuesve.
Teksa kryeministri Edi Rama tentoi ta lidhë procesin e integrimit ekskluzivisht me meritën e tij personale dhe të qeverisë, ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa, u shpreh se integrimi në BE është një kërkesë e shqiptarëve dhe kërkon bashkëpunim me të gjithë aktorët politikë, biznesin dhe qytetarët.
Ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa:
“Nuk është punë dhe meritë vetëm e qeverisë, por e të gjithë faktorëve.”
Teksa BE-ja kërkon që këto reforma të mos jenë vetëm ligje të shkruara, por të përkthehen në rezultate të prekshme për qytetarët, kryeministri Edi Rama e gjeti fajin te media, e cila, sipas tij, dezinformon qytetarët, dhe jo te fakti se këto ligje në letër nuk zbatohen nga qeveria e tij.
Kryeministri Edi Rama:
“Qeveria ka bërë punë, por nuk jepet nga ekranet e dezinformimit. Ndërkohë që duhet të ishte e prekshme.”
Mungesa e zgjedhjeve ishte një tjetër pikë e rëndësishme e këtij Progres-Raporti. Edhe gjatë konferencës për shtyp, drejtuesja e Delegacionit të BE-së në Shqipëri kërkoi një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe konsensuale, dhe jo të njëanshme, siç ndodhi me Reformën Territoriale.
