Edi Rama

5 Nëntor 2026

Një gazetar i huaj, i cili trajton kryesisht çështjet e arkitekturës, ka zbuluar se ku fshihet Edi Rama gjatë protestave të të rinjve.

Gazetari Fred A. Bernstein i revistës ‘Architectural Digest’ vizitoi Tiranën kur vendi ishte përfshirë nga revolta studentore.

Qëllimi i tij ishte të zbulonte se përse arkitektët e huaj po vijnë në Shqipëri.

“Kështu, më 19 tetor fluturova drejt Tiranës – për një udhëtim të shkurtër anësor nga Greqia, ku ndodhesha me pushime me bashkëshortin tim – për të parë disa nga ndërtesat e reja dhe për të intervistuar Ramën rreth tyre. Por mbërrita në një periudhë trazirash civile. Kryeministri, asistenti i të cilit më kishte thënë se nuk kishte nevojë ta shtyja udhëtimin, sepse gjithçka ishte në rregull, ishte zhvendosur në një vendndodhje të sigurt në periferi të qytetit. Edhe vila e ruajtur nga forca të shumta sigurie, ku ai pranoi të zhvillonte intervistën, një ndërtesë prej betoni të papërpunuar, e lyer me të kuqe të ndezur, është kryesisht vepër e arkitektit spanjoll Pablo Bofill,” shkruan gazetari.

Sipas tij, revolta e shqiptarëve drejtohet edhe kundër arkitektëve të huaj që kanë zbarkuar në Shqipëri.

“Rama më thotë – zyrtarisht dhe ndoshta pa u menduar mirë – se të vetmit arkitektë shqiptarë që kanë probleme me afrimin e tij ndaj studiove të huaja janë “ata mediokrit”,” shkruan gazetari.

Ndërkohë ai thekson se në protestat rinore kundër Ramës ka shumë studentë të arkitekturës.

“Në fakt, dukej sikur nuk e vinte re aspak atmosferën në rrugë dhe dëshironte të promovonte edhe më shumë grupin e arkitektëve të huaj me të cilët bashkëpunon. Aty nga fundi i intervistës sime gjysmëorëshe, ai përmend se po mendon ta kthejë “The Albanian Files” në një muze, me nga një sallë për secilën prej 60 studiove të huaja, ku të ekspozohen vizatime, makete dhe fotografi të punëve të tyre. Ai tha se tashmë ka gjetur një vend për atë që, sipas tij, do të jetë “një depo e madhe ëndrrash, shpresash dhe sfidash, iluzionesh dhe zhgënjimesh. Do të jetë një vend i mrekullueshëm për t’u vizituar”. Natyrisht, projektuesi i tij do të përzgjidhet përmes një konkursi ndërkombëtar arkitekture,” shkruan ai.

Nga Gazeta Sot