Raporti i Progresit/ KE: Shqiptarët paguajnë nga xhepi 48.27% të shpenzimeve shëndetësore, mbi 3 herë më shumë se mesatarja e BE-së! Mungojnë barnat në spitale

5 Nëntor 2026
Komisioni Europian evidenton probleme serioze në sistemin shëndetësor shqiptar, duke nisur nga niveli kritikisht i lartë i shpenzimeve që qytetarët përballojnë drejtpërdrejt nga xhepi, te nënfinancimi i kujdesit shëndetësor parësor, mungesa e barnave thelbësore dhe pajisjeve mjekësore në spitale.
Në Progres-Raportin për Shqipërinë për vitin 2026, Brukseli konstaton se shpenzimet shëndetësore që paguhen drejtpërdrejt nga qytetarët mbeten në nivele kritikisht të larta, duke arritur në 48.27%, sipas të dhënave të vitit 2023, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian është rreth 15%.
Kjo do të thotë se pesha e pagesave nga xhepi në shpenzimet shëndetësore në Shqipëri është mbi tri herë më e lartë se mesatarja europiane, duke evidentuar një hendek të konsiderueshëm në mbrojtjen financiare të qytetarëve.
“Sa i përket mbrojtjes financiare, shpenzimet shëndetësore të paguara drejtpërdrejt nga qytetarët mbetën në një nivel kritikisht të lartë prej 48.27% (2023), krahasuar me mesataren e Bashkimit Europian prej rreth 15%”, thuhet në raportin e Komisionit Europian. Raporti evidenton gjithashtu nivelin e financimit publik për sektorin e shëndetësisë.
Sipas Komisionit Europian, në vitin 2025, shpenzimet publike për shëndetësinë përbënin rreth 2.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe 9.6% të shpenzimeve publike.

“Në vitin 2025, shpenzimet publike për shëndetësinë ishin rreth 2.7% e PBB-së dhe 9.6% e shpenzimeve publike. Megjithëse shpenzimet u rritën në terma absolutë, pesha relative e shpenzimeve për shëndetësinë ra”, thekson raporti.
Kujdesi shëndetësor parësor i nënfinancuar, shpenzimet 28% më pak se plani
Një tjetër problem i evidentuar nga Komisioni Europian lidhet me financimin e kujdesit shëndetësor parësor, ku përfshihen shërbimet bazë shëndetësore për qytetarët.
Sipas raportit, gjatë vitit 2025, shpenzimet për këtë sektor rezultuan afërsisht 28% më të ulëta se niveli i planifikuar.
Komisioni vlerëson se kjo situatë ka zgjeruar më tej hendekun ndërmjet nevojave të popullsisë për kujdes shëndetësor dhe burimeve financiare të disponueshme.
“Kujdesi shëndetësor parësor mbetet i nënfinancuar. Në vitin 2025, shpenzimet ishin afërsisht 28% më të ulëta se sa ishte planifikuar, duke zgjeruar më tej hendekun ndërmjet nevojave të popullsisë dhe burimeve të disponueshme”, thuhet në dokument.
KE evidenton mungesën e barnave
Përtej problemeve të financimit, Komisioni Europian evidenton si një sfidë kritike mungesën e barnave thelbësore dhe pajisjeve mjekësore në spitalet shqiptare.
Raporti thekson se Shqipëria duhet të zhvillojë dhe zbatojë politika e modele të reja për çmimet e barnave, rimbursimin dhe mbulimin e tyre.
“Mungesa e barnave thelbësore në spitale dhe e pajisjeve mjekësore mbetet një sfidë kritike. Vendi duhet të zhvillojë dhe të zbatojë politika dhe modele të reja për çmimet, rimbursimin dhe mbulimin me barna”, konstaton Komisioni Europian.
Ky është një nga vlerësimet më të rëndësishme të raportit për funksionimin e shërbimeve spitalore, pasi mungesa e barnave dhe pajisjeve mjekësore lidhet drejtpërdrejt me mundësinë e pacientëve për të marrë trajtimin e nevojshëm.
Plakja e popullsisë
Në analizën e tij, Komisioni Europian ndalet edhe te ndryshimet demografike që po përjeton Shqipëria.
Raporti konstaton se popullsia shqiptare po plaket si rezultat i tri faktorëve kryesorë: uljes së lindshmërisë, rritjes së jetëgjatësisë dhe emigracionit.
Këto zhvillime përbëjnë një sfidë shtesë për planifikimin dhe financimin e shërbimeve shëndetësore, në një kohë kur raporti evidenton mungesë burimesh dhe nënfinancim të kujdesit parësor.
Kartelat elektronike
Një tjetër problem i identifikuar lidhet me digjitalizimin e shërbimeve shëndetësore dhe administrimin e të dhënave të pacientëve.
Komisioni Europian konstaton se në Shqipëri është ngritur një sistem elektronik për mbledhjen dhe raportimin e informacionit shëndetësor nga kartelat mjekësore.
Megjithatë, raporti evidenton se ende mungon një kuadër ligjor i posaçëm për administrimin e kartelave elektronike shëndetësore, ndërsa shërbimet elektronike në këtë sektor vazhdojnë të jenë të fragmentuara.
“Është ngritur një sistem elektronik për mbledhjen dhe raportimin e informacionit shëndetësor nga kartelat mjekësore, megjithëse nuk ekziston një kuadër ligjor i posaçëm që rregullon administrimin e kartelave elektronike shëndetësore, ndërsa shërbimet e shëndetësisë elektronike vazhdojnë të jenë të fragmentuara”, thuhet në raport.
